08 Nëntor 2024

Korrupsioni shkatërron mundësinë e tërheqjes së investimeve të huaja

Prishtinë, 8 dhjetor - Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Organizata Çohu, në emër të Koalicionit të organizatave në kuadër të “Javës kundër Korrupsionit” #bashkeendreqim, në mbështetje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, organizuan sot Tryezën e Diskutimit me temë: “Progresi në Zbatimin e Strategjisë kundër Korrupsionit”, në Prishtinë.  

Në këtë tryezë u diskutua për dështimet e institucioneve, arritjet dhe sfidat drejt zbatimit të plotë të Strategjisë, si dhe mbi gatishmërinë institucionale në luftimin e korrupsionit dhe promovimin e mekanizmave kundër-korrupsion.

Në fillim të tryezës, znj. Elshani, Hulumtuese në GSJP, prezantoi Raportin e Politikave me titull  “Monitorimi i zbatimit të Strategjisë kundër-Korrupsion dhe Planit të Veprimit 2013-2017”.

Ky Raport vë në pah arritjet dhe ngecjet e institucioneve në zbatimin e masave dhe veprimeve që rrjedhin nga kjo Strategji, të cilat synojnë forcimin e integritetit institucional, promovojnë vlerat e qeverisjes së mirë dhe luftën kundër korrupsionit.

Në fjalën e saj hyrëse, Ministrja e Drejtësisë, znj. Dhurata Hoxha theksoi se vetëm rishikimi i kornizës legjislative nuk është i mjaftueshëm duke pasur parasysh që korrupsioni është një fenomen multi-disiplinorë.

"Bashkëpunimi ndër-institucional si dhe përkushtimi ynë individual dhe kolektiv në luftën kundër korrupsionit është i obligueshëm për integrimin e Kosovës si në strukturat e Bashkimit Evropian, poashtu edhe në ato Euro-Atlantike", theksoi Hoxha.  

Në anën tjetër, znj. Haxhiu, Kryetare e Komisionit për Legjislacion, tha se mungesa e vullnetit politik, kapja e sistemit të drejtësisë si dhe mungesa e legjislacionit adekuat për luftimin e korrupsionit, janë disa nga arsyet kryesore që korrupsioni mbetet i rrënjosur thellë në sferën politike, ekonomike dhe sociale në Kosovë.

 Duke përgëzuar organizatat e shoqërise civile për organizimin e “Javës kundër Korrupsionit”, znj. Haxhiu theksoi rëndësinë e përfshirjes së shoqërisë civile dhe rekomandimeve të tyre në hartimin e Strategjisë së re kundër Korrupsionit.

Ndërsa, James Hope, Drejtor i Misionit të USAID-it në Kosovë ka thënë se korrupsioni po shkatërron mundësinë e tërheqjes së investimeve të huaja, rritjen e vendeve të punës si dhe po zbeh besimin e qytetarëve karshi institucioneve të shtetit.

Prandaj sipas tij është e rëndësishme të theksohet se lufta kundër korrupsionit kërkon një bashkëpunim të qëndrueshëm në mes të institucioneve, shoqërisë civile dhe qytetarëve në përgjithësi.
 
Në vazhdim, Gnocchi nga Zyra e BE-së në Kosovë vuri theksin tek rëndësia e hartimit të Strategjisë së re, duke kërkuar nga insitucionet e përfshira që ti adresojnë me kujdes problemet me të cilat është përballur Strategjia e tanishme.

"Zbatimi jo adekuat i kësaj Strategjie, mungesa e një planifikimi të mirëfilltë buxhetor si dhe mos-koordinimi institucional janë disa nga sfidat që duhet të adresohen me kujdes gjatë përpilimit të Strategjisë së re", ka thënë Gnocchi.

Në anën tjetër, Kryesuesi i Prokurorisë Special, Millaku tha se prokuroritë janë të angazhuara intenzivisht në këtë drejtim dhe se në grupin e personave që hetohen hyn edhe zyrtarë të lartë, përfshirë këtu ministra dhe ish ministra, kryetarë të komunave dhe ish prokurorë.

Në vazhdim ai tha se sfidë mbetet numri i ulët i prokurorëve të angazhuar, që nuk kalon as 60% e normës së kërkuar.

Duke përmbyllur këtë tryezë, Shefi i Divizonit për Hetime dhe Strategji pranë Agjencisë kundër Korrupsion, Sadiku, theksoi nevojën e një bashkëpunimi më konstruktiv ndërmjet institucioneve përgjegjëse në mënyrë që raportimi kundrejt Agjencisë të jetë më gjithëpërfshirës sa i përket zbatimit të masave dhe veprimeve që rrjedhin nga kjo Strategji.

Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të institucioneve relevante, agjencive përkatëse, misioneve ndërkombëtare në Kosovë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe media.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)