17 Nëntor 2024

Korrupsioni pengesa më e madhe e zhvillimit ekonomik të Kosovës

Prishtinë, 10 prill - Krijimi dhe implementimi i një kornize adekuate ligjore, sundimi i ligjit përmes forcimit të mekanizmave ligjor, bashkëpunimi i ndërsjellë në mes të organizatave dhe institucioneve si dhe qytetarëve, agjenda e veprimeve konkrete në këtë drejtim, rritja e transparencës dhe efikasitetit të prokurimit publik dhe eliminimi i monopolit, konsiderohen si disa ndër mënyrat kryesore që ndikojnë në uljen dhe çrrënjosjen e korrupsionit.

Ky konkluzion doli nga diskutimi në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbi ndikimin e korrupsionit në zhvillimin ekonomik.

Në këtë tryezë, krahas përfaqësuesve të bizneseve anëtare të Odës Amerikane, të pranishëm si pjesë e panelit ishin edhe Shefi i Misionit të USAID në Kosovë, z. James Hope, Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, z. Hasan Preteni dhe Sekretari Gjeneral i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, z. Ardi Shita.


Në hapje të tryezës, Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, z. Arian Zeka foli mbi nivelin e lartë të korrupsionit dhe mungesën e hapave konkret drejt çrrënjosjes së këtij fenomeni.

Ai gjithashtu theksoi edhe barrën e rëndë që prania e korrupsionit u shkakton bizneseve të cilat promovojnë vlera të shëndosha të afarizmit, duke pamundësuar kështu fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si dhe tërheqjen e investitorëve të huaj serioz.

Ai tha se prania e korrupsionit dekurajon të rinjtë me potencial ndërmarrësie që të demonstrojnë aftësitë e tyre në sektorin privat dhe poashtu tha se korrupsioni ndikon edhe në shpenzimin joefikas dhe joefektiv të parave të tatimpaguesve duke mos u ofruar atyre vlerën më të mirë për paratë e tyre.

Në vazhdim, z. Visar Hapçiu, Menaxher i Departamentit të Politikave dhe Marrëdhënieve me Qeverinë në Odës Amerikane, prezantoi para të pranishmëve rezultatet e një hulumtimi të kryer nga Oda Amerikane në vitin 2014, mbi hapat për parandalimin e korrupsionit.

Nga ky hulumtim, ku janë analizuar veprimet e ndërmarra në rastet e Kroacisë, Sllovenisë dhe Estonisë, rezulton se prokurimi publik elektronik është një mekanizëm që hap dyert drejt rritjes së transparencës dhe krijimit të mundësive për një konkurrencë të drejtë.

Masat tjera të zbatuara nga këto tri shtete që mund të konsiderohen si kampione në luftimin e korrupsionit viteve të fundit përfshijnë mundësimi i paraqitjes së rasteve të korrupsionit dhe parregullsive pa pasur frikë për hakmarrje, mbrojtja ligjore për ata që lajmërojnë korrupsionin, vendosja e flamujve të kuq në deklarimin e pasurive në mënyrë elektronike, implementimi i dispozitave për konfliktin e interesit si dhe kërkesat për transparencë financiare të partive politike.

Shefi i Misionit të USAID, z. James Hope, e konsideron si shumë të rëndësishëm diskutimin e një teme të tillë, siç është parandalimi i korrupsionit.

Korrupsioni sipas tij është një ndër pengesat më të mëdha të zhvillimit ekonomik të Kosovës pasi që dekurajon investimet e huaja direkte dhe rrit koston e të bërit biznes. 

Hapat dhe veprimet konkrete janë thelbësore në përpjekjet drejt uljes së nivelit të korrupsionit në vend pasi që një dukuri e tillë prek të gjitha shtresat e shoqërisë dhe ndikon direkt në kualitetin e jetës së qytetarëve.

Hasan Preteni, Drejtor i Agjencisë kundër Korrupsionit, tha se krahasuar me vitet e kaluara, bazuar në Raportin e Progresit dhe Transparency International duket se është bërë një progres në aspektin e legjislacionit dhe të masave parandaluese ndaj korrupsionit, të cilat janë të krahasueshme edhe me shtetet e tjera te rajonit dhe më gjerë.

Ndërsa, si pengesë gjatë këtyre proceseve, z. Preteni theksoi mungesën e shifrave të sakta, numrin e vogël të aktakuzave, e sidomos të gjykimeve, duke përmendur numrin e rasteve të raportuar në 4 vitet e fundit, për të cilat nuk ka asnjë të dhënë publike sa i përket emrave dhe detajeve tjera.

Më tej, ai shtoi se nuk bëhet fjalë vetëm për korrupsion, por edhe për krim të organizuar dhe krijim të monopolit, sidomos në sektorin e prokurimit publik, gjë që është dëshmuar shpesh herë me rezultatet të dobëta së punës dhe çmime të larta.

Në anën tjetër, Sekretari Gjeneral i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Ardi Shita, vuri në pah rolin e rëndësishëm të medieve, si linjë e parë në hulumtimin e rasteve të korrupsionit. Ai gjithashtu, tha se sundimi i ligjit, nuk është vetëm përgjegjësi e gjyqësorit, por edhe institucioneve tjera si prokuroria, Agjencia Anti-Korrupsion, policia, njësiti i krimeve ekonomike, korrupsionit dhe krimeve të rënda dhe institucioneve tjera relevante.

Shita shprehu shqetësimin e tij ndaj rezultateve të këtij viti mbi perceptimin e korrupsionit, e të cilat janë të njëjta më ato të vitit 2011.

Kjo mungesë e progresit ka rezultuar nga ikja ndaj përgjegjësisë e autoriteteve përkatëse, mungesa e iniciativës për forcimin e mekanizmave dhe ndryshimin e ligjit, e që padyshim reflekton negativisht edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Pas prezantimeve nga panelistët, tryeza vazhdoi me pyetje dhe diskutime nga pjesëmarrësit, të cilët ndër të tjera në fokus kishin identifikimin e rasteve të korrupsionit të raportuara deri më tani dhe masat konkrete që janë ndërmarrë, çështjet që ndërlidhen me kompetencat e Agjencisë dhe institucioneve tjera përgjegjëse, si dhe ato që kanë të bëjnë me pjesën legjislative.

Tryeza u përmbyll me dhënien e rekomandimeve nga ana e panelistëve dhe pjesëmarrësve tjerë, sa i përket masave që duhet të ndërmerren.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)