Korrupsioni nuk luftohet nga të korruptuarit
Prishtinë, 11 qershor - Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! organizuan një aksion simbolik në hyrje të Hotel Nartel, në Prishtinë, ku po mbahej konferenca "Për rezultatet e vlerësimeve të kryera në kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave" organizuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Folësit të cilët do të prezantonin të arriturat në luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave ishin Hajredin Kuçi dhe Bajram Rexhepi sipas Vetëvendosjes që të dy përfaqësues të Qeverisë së skandaleve dhe korrupsionit.
Aktivistët mbanin në duar pankartat Pastrimi i parave nuk luftohet me qeveritarë të pistë, si dhe 1.4 milion arsye pse korrupsioni nuk luftohet me qeveritarë të korruptuar.
Hajredin Kuçi, është zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës, qeveri kjo ku korrupsioni është sa përditshmëri aq dhe domosdoshmëri. Ai po ashtu, është nën kryetar i partisë, e cila ka 6 kryetar komunash nën hetime për korrupsion, e njëkohësisht ka edhe kryetar të dënuar e të zhdukur si Xhabir Zharku.
Po ashtu si Ministër Drejtësie mbahet mend për skandalin dhe përfshirjen në hetime për rastin e Tolaj-Haraqia, ku ky ministër ndërhyri në drejtorinë e burgjeve për të mundësuar takimin midis të paraburgosurit, ish sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, dhe Astrit Haraqisë, ish zëvendësministrit të Financave, i cili në atë kohë ishte nën hetime për të njëjtin rast.
Bajram Rexhepi, si ministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të mbahet mend për skandalet e tij të vazhdueshme dhe për aferat korruptive brenda kësaj ministrie ku disa prej tyre janë:
1. Rreth 1 milion euro keqpërdorime në tenderin për municion dhe armatim për Ministrinë dhe policinë. Kjo solli deri tek arrestimi i disa personave. Pasi u zbulua skandali, Ministri Rexhepi tha se ishin ata të cilët e nisën hetimin, natyrisht vetëm pasi u zbulua nga media.
2. Në Policinë e Kosovës vidhet dhoma e dëshmive, ku vidhen më shumë se 50 kg heroinë, dhe euro në valutë, përfshi këtu edhe një numër dosjesh të ndjeshme. Kjo është vjedhja më e rëndë që është bërë në Kosovë, dhe bëhet në ndërtesën e policisë dhe sot e asaj dite nuk zbulohen kryesit e veprës.
3. Tenderin për furnizim me targa për automjete Ministria e Punëve të Brendshme ia jep kompanisë që kishte ofertën 300 mijë euro më të lartë se sa ofertuesi i dytë. Tre vite më parë kontrata ju ishte dhënë ofertuesit që e kishte ofertën për 700 mijë euro më të lartë.
4. Zhdukja e 1.4 milion eurove, Skandali ku janë arrestuar tre persona tregojnë për marrëveshjen e kompanisë austriake me qeverinë e Kosovës për të fituar kontratën me ryshfet. Kjo u zbulua vetëm pas raportimit të medieve.
5. Raporti i auditimit dokumenton shkelje pothuajse në çdo tender të vitit 2011, përfshirë këtu tenderin për pasaporta, për punimet në qendrën e regjistrimit civil, kontrata për furnizim me ushqim e pije, etj.
Pra, Ministria sipas Vetëvendosjes që ka përgjegjësitë më të ndjeshme në shtetin tonë, për ta luftuar krimin e organizuar e korrupsionin, është ajo Ministri që prin me afera korruptive.
Lufta kundër korrupsionit nuk mund të bëhet nga ata që vetë janë të korruptuar. Për tu hequr korrupsioni, duhet të hiqet Qeveria Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij.
Vetëvendosje i bën thirrje çdo prokurori të Republikës së Kosovës, si dhe çdo gjyqtari, që të bëjë detyrën përballë ligjit, qytetarëve dhe vendit.