02 Nëntor 2024

Korrupsioni në prokurimin publik nuk hetohet dhe nuk gjykohet profesionalisht

Prishtinë, 25 qershor - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Iniciativa për Progres (INPO), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, në një konferencë për media, kanë publikuar raportin analitik: “Korrupsioni në prokurimin publik”, i cili raport është analizë e politikës së ndjekjes dhe dënimeve në rastet e veprave penale që ndërlidhen me prokurimin publik.

Gjatë vitit 2019, krahas rasteve të tjera të korrupsionit, IKD dhe INPO kanë monitoruar 89 seanca gjyqësore, ku përfshihen 26 raste të korrupsionit, të ndërlidhura me prokurim publik.

Drejtoresha ekzekutive e INPO-s, Albulena Nrecaj, tha se në fushën e korrupsionit, si një ndër kategoritë më të pa adresuara kriminale nga sistemi i drejtësisë, problem i veçantë vazhdon të jetë korrupsioni në fushën e prokurimit publik, përkatësisht në kanalin përmes të cilit shpenzohet vazhdimisht paraja publike.

“Në Kodin e ri Penal i cili ka hyrë në fuqi më 14 prill 2019, krahas keqpërdorimit të pozitës apo autoritet zyrtar dhe mashtrimit në detyrë, si vepër e veçantë penale është përcaktuar “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, duke e specifikuar kështu këtë lloj kriminaliteti me një vepër të veçantë penale. Përkundër miratimit të ligjeve të mira dhe ndryshimit të shpeshtë të ligjeve, ndonjëherë edhe pas u zbatuar fare ligjet paraprake, sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të sfidohet në kuptim të përgjigjes së drejtësisë ndaj llojeve të ndryshme të kriminalitetit. Asnjë aktgjykim i formës së prerë nuk është shqiptuar me burgim efektiv për vepra penale të korrupsionit ndaj profilit lartë. Zyrtarët e lartë publik vazhdojnë të amnistohen nga ndjekja penale e bazuar në hetim dhe ndjekje profesionale, dhe gjykime të drejta, paanshme dhe të pavarura që do të rezultonin me shqiptimin e dënimeve me burgim efektiv”, tha Nrecaj.

Tutje, Nrecaj theksoi se një ndër problemet kryesore në hetimin e rasteve të korrupsionit në fushën e prokurimit publik është profesionalizmi i sistemit të drejtësisë në trajtimin e këtyre rasteve dhe heshtja e Prokurorit të Shtetit përballë gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).

“Në gusht të vitit 2019, ZKA ka publikuar raportin vjetor të auditimit për vitin 2018. Sa i përket prokurimit publik në institucionet publike, ky raport listonte gjetjet kryesore, ku ndër të tjera theksohej:1.Pagesa për punë të pakryera  dhe pa dëshmi të mjaftueshme; 2. Shpërblimi me kontratë i operatorëve ekonomik që nuk i kanë plotësuar kërkesat e përshtatshmërisë së dosjes së tenderit; 3. Lidhja e kontratave duke anashkaluar procedurat e prokurimit; 4. Zhvillimi i procedurave pa hartimin e projekteve ekzekutuese dhe fillimi i projekteve pa sigurimin e parakushteve për implementim; 5. Hyrja në obligime kontraktuale duke nënshkruar kontratat pa buxhet të mjaftueshëm në dispozicion etj. Për të gjitha këto gjetje të trajtuara përgjithësisht në raportin vjetor të auditimit, dhe të detajuara në raportet individuale të auditimit të institucioneve publike Prokurori i Shtetit ka heshtur, dhe nuk ka trajtuar asnjë prej tyre”, ka përfunduar Drejtoresha Ekzekutive e INPO-së, Albulena Nrecaj.     

Ndërsa, Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, ka thënë se gjetjet e IKD-së dhe INPO-s dëshmojnë një qasje jo-bashkëpunuese të Prokurorit të Shtetit me institucionet e tjera, duke shtuar se sistemi prokurorial dhe gjyqësor nuk janë angazhuar në ngritjen e profesionalizmit të prokurorëve dhe gjyqtarëve në trajtimin e rasteve të korrupsionit në fushën e prokurimit publik.

“IKD dhe INPO kanë analizuar të gjitha aktakuzat në rastet e korrupsionit në fushën e prokurimit publik. Me këtë rast, IKD dhe INPO kanë gjetur se Prokurori i Shtetit në hetimin e këtyre rasteve nuk aplikon një qasje bashkëpunuese me institucionet e tjera. Kjo vërehet nga iniciuesit e rasteve në të cilat janë ngritur aktakuza, ku të gjitha rastet janë iniciuar vetëm nga Policia e Kosovës dhe Agjencia Kundër Korrupsion. Por, kjo qasje jo bashkëpunuese vie në pah edhe më shumë në vetë përmbajtjen dhe arsyetimin e aktakuzave, pasi Prokurori i Shtetit vetëm në raste përjashtuese përdorur raporte apo dokumente të institucioneve të tjera, me qëllim që ta forcojë aktakuzën në një rast specifik. Në këtë drejtim, IKD dhe INPO e shohin shumë shqetësuese heshtjen e Prokurorit të Shtetit përballë raporteve të ZKA-së. ZKA vazhdimisht ka publikuar raportet e saja të auditimit ku janë evidentuar një mori shkeljesh në fushën e prokurimit publik. Por, asnjë prej këtyre raporteve nuk janë trajtuar nga Prokurori i Shtetit gjatë vitit 2019, përkatësisht nuk është ngritur asnjë aktakuzë bazuar në këto raporte. Në anën tjetër, Prokurori i Shtetit përgjatë tri (3) viteve nuk ka arritur që të trajtojë as gjysmën e prokurorëve të cilët kanë kompetencë trajtimin e këtyre rasteve, derisa KGJK nuk ka dhënë informata. Ndërsa, Policia e Kosovës ka shfaqur një interesim dhe angazhim më të madh për ngritjen e profesionalizmit në trajtimin e këtyre rasteve”, ka deklaruar Shala gjatë konferencës për media.

Tutje, Shala ka shtuar se në luftimin e korrupsionit në fushën e prokurimit publik, shqetësuese është mos interesimi i sistemit të drejtësisë për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale dhe zvarritjet procedurale të këtyre rasteve.

“Nga rastet që IKD dhe INPO ka monitoruar, në vetëm një rast bëhet fjalë për sekuestrim të pasurisë, derisa në asnjë rast tjetër nuk janë bërë propozime për konfiskimin e pasurisë. Në këtë mënyrë, në mungesë të një propozimi për konfiskim në aktakuzë, Prokurori i Shtetit, në kuptim të konfiskimit, nuk ka pasur se çfarë të mbrojë në seanca gjyqësore. Në anën tjetër, zvarritjet procedurale kanë bërë që në raste të caktuara, personat të caktuar ti shmangen drejtësisë, për arsye se rasti ka arritur afatin e parashkrimit. Po ashtu, IKD dhe INPO kanë gjetur se Gjykatat nuk kanë respektuar sa duhet Udhëzuesin e Gjykatës Supreme për Politikë Ndëshkimore. Në këtë kuptim, kjo qasje e Prokurorit të Shtetit në hetimin e këtyre rasteve, mos zbatimi i Udhëzuesit të Gjykatës Supreme për Politikë Ndëshkimore dhe zvarritjet procedurale bëjnë që sistemi i drejtësisë mos ti jap përgjigje këtij lloj të kriminalitetit” ka përfunduar Shala.

Në fund, IKD ka dhënë edhe rekomandime konkrete që lidhen me trajtimin e këtyre rasteve nga sistemi i drejtësisë.

Për më tepër gjeni të bashkangjitur raportin e IKD-së dhe INPO-s “Korrupsioni në prokurimin publik”. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)