Korrupsioni, Kosova renditet në vendin e 112-të
Prishtinë, 29 nëntor - Kosova renditet e 112-ta në mesin e 183 shteteve të botës nga Transparency International, së bashku me Egjiptin, Moldavinë, Senegalin, Vietnamin dhe Algjerinë.
Perceptimi se Kosova është vend i korrupsionit është rritur edhe më shumë këtë vit, thuhet në raportin e Tranparency International që pritet të publikohet të enjten.
Kosova, sipas këtij raporti, është ranguar dy vende më poshtë sa i përket perceptimit për korrupsionin në sektorin publik, sesa ishte vitin e kaluar.
Vitin e kaluar, Kosova ishte renditur më poshtë në krahasim me vendet e rajonit, duke u klasifikuar në vendin e 110-të.
Edhe kësaj radhe Shqipëria renditet në vendin e 95-të në listën e indeksit global të perceptimit të korrupsionit.
Raporti, i publikuar nga Transparency International, thekson se Shqipëria nuk ka shënuar përmirësim krahasuar me një vit më pare dhe mbetet ende pas krahasuar me vende të tjera të zhvilluar.
Shqipëria ka marrë një vlerësim prej 3.1 pikësh nga TI-ja nga 10 pikë maksimale që mund të merrte nëse vendi nuk ka fare korrupsion, ndërsa më poshtë në listë nga të gjitha vendet e rajonit vlerësohet Kosova me 2.9 pikë.
Ndërsa Kroacia e Mali i Zi ndajnë vendin e 66-të, Maqedonia renditet e 69-ta, Serbia e 86-ta dhe Bosnjë e Hercegovina hyn në vendin e 91-të.
Në nivel global, Zelanda e Re ka zënë vendin e parë në raportin e Transparency International, kurse në katër vendet e fundit janë renditur Afganistani, Somalia, Korea Veriore dhe Birmania.