Korrupsioni kërcënon stabilitetin financiare në Moldavi
Chisinau, 3 mars - Një krizë financiare në Moldavi, një ndër vendet më të varfëra të Evropës, ka nxjerrë në pah korrupsionin me rrënjë të thella që po favorizon partitë politike pro-Rusisë, duke rrezikuar kështu stabilitetin e Moldavisë.
Muaj të tërë protestash pranë godinave qeveritare kanë risjellë pamje të ngjashme me ato të Ukrainës fqinje, dhe vendet perëndimore po pezullojnë ndihmën financiare derisa qeveria të ndërmarrë reformat e nevojshme.
Protestuesit përpara godinës së qeverisë në Moldavi janë duke mbledhur firma për të kërkuar zgjedhje të parakohshme, një zgjedhje të drejtpërdrejtë të presidentit, si dhe heqjen e imunitetit për parlamentarët.
Ata thonë se qeveria është e korruptuar dhe nën kontrollin e oligarkëve me influencë, akuza këto që mohohen nga Kryeministri, Pavel Filip gjatë një interviste ekskluzive për Zërin e Amerikës.
Ne jemi të logjikshëm. Nuk mund të kishim marrë përgjegjësira të tilla nëse dikush do të kishte kapur shtetin dhe ta kontrollonte nga mbrapa skenës.
Por, ai e pranon se duhet të kishin ndërmarrë hapa ligjorë për të rifituar besimin e publikut.
Sondazhet tregojnë se mbështetja e publikut është shumë e ulët, çka do të thotë se nëse do të mbanim tani zgjedhje të parakohshme, shumë prej grupeve parlamentare nuk do të rizgjidheshin në parlamentin e ardhshëm.
Moldavia u zhyt në krizë pasi 1/8-ta e GDP-së së saj, një miliardë dollarë, u zhdukën nga bankat.
Mbështetësit perëndimorë kanë ngrirë mbështetjen financiare derisa të arrihen reformat e synuara.
Shohim se ka tashmë vërtet nevojë për një kthesë të plotë të vendit dhe për realizimin e reformave. Pa këtë, vendi nuk do të jetë në gjendje tu japë qytetarëve atë çfarë ata meritojnë dhe çfarë ata presin, thotë Pirkka Tapiola, ambasador i BE-së në Moldavi.
Kampe protestuesish të ngritura që në muajin shtator ngjasojnë me revolucionin në Ukrainë, megjithëse deri më tani palët kanë treguar vetëpërmbajtje.
Partitë politike pro-Rusisë po fitojnë mbështetje për shkak të keqpërdorimit të marrëdhënies së Moldavisë me Perëndimin.
Nuk ka të bëjë realisht me rusët. Nuk janë rusët problemi. Problemi është vendor, i krijuar brenda vendit. Kjo nuk do të thotë se nuk ka fuqi të huaja që mund të përfitojnë, ose që dëshirojnë të shohin një rezultat të caktuar. Por, sigurisht, ne nuk duam të ndërhyjmë në punët e brendshme të Moldavisë, thotë James Pettit, ambasador i SHBA në Moldavi.
Ndërkaq, shitësit përballë godinës së qeverisë po shesin Martisor, një produkt tradicional që simbolizon një fillim të ri.