Korrupsioni i padurueshëm në Europë
Bruksel, 5 gusht - Në klimën e krizës ekonomike që ka përfshirë Eurozonën, evropianët po humbin besimin në qeveritë e tyre.
Një anketë e fundit arrin në përfundimin se besimi në partitë politike është në nivelin më të ulët të regjistruear ndonjëherë.
Në disa vende mosbesimi regjistrohet në 90 për qind si rezultat i perceptimit për ekzistencën e një niveli të lartë korrupsioni. Anketa u zhvillua në një kohë kur një numër politikanësh në Itali, Spanjë dhe Francë përballen me akuza për mashtrime dhe evazion fiskal.
Në të gjithë Evropën, qytetarët po humbasin besimin në qeveritë e tyre.
Një anketë e kohëve të fundit, e zhvilluar nga organizata Transparency International në 107 vende arrin në përfundimin se vetën 23 për qind e të anketuarve mendojnë se qeveritë po bëjnë punën e duhur për të luftuar korrupsionin.
Në Evropë shifrat janë edhe më shqetësuese. Në Spanjë 8 për qind e të anketuarve mendojnë se po merren masa kundër korrupsionit, në Itali vetëm 13 për qind dhe në Greqi dhe Portugali vetëm 1 për qind.
Valentina Rigamonti e organizatës Transparency International tha për Zërin e Amerikës se kriza e besimit është më e thellë në vendet e goditura më rëndë nga kriza, ku besimi tek institucionet është edhe më i domosdoshëm.
Barometri i korrupsionit global tregon probleme shqetësuese në Evropën jugore, ku kriza ka goditur më rëndë.
Besimi në partitë politike ka rënë, gjithashtu. Në Greqi, 9 në 10 të anketuar thanë se i konsiderojnë partitë politike si të ndikuara nga korrupsioni.
Rigamonti tha se ndërkohë që kriza e besimit është më e dukshme në vendet e prekura më rëndë nga kriza, problemi shfaqet në çdo vend evropian, edhe në vendet nordike që tradicionalisht kanë emër të mirë në luftën kundër korrupsionit.
Asnjë nga vendet evropiane nuk është i pastër. Të gjithë janë prekur nga korrupsioni, në nivele të ndryshme dhe nga aspekte të ndryshme të problemit.
Studimi i organizatës u zhvillua ndërkohë që janë shfaqur akuza shqetësuese për korrupsion në vende të ndryshme evropiane.
Të enjten një gjykatë mbajti në fuqi një dënim me burgim për ish-kryeministrin italian Silvio Berluskoni për evazion fiskal.
Një ditë më parë, kryeministri i Spanjës u detyrua tu dalë në mbrojtje veprimeve të tij lidhur me akuzat se ka marrë pagesa nga manjatë të industrisë së ndërtimit.
Ai i hodhi poshtë akuzat në një dëshmi para parlamentit. Muajin e kaluar, kryeministri çek dha dorëheqjen pas një skandali lidhur me një nga ndihmësit e tij. E njëjta gjë edhe në Luksenburg, ku e gjithë qeveria dha dorëheqjen pas akuzave për korrupsion.
William Bertlett është analist në Shkollën Ekonomike të Londrës. Ai thotë se recesioni në Evropë nuk është shkaktari i thellimit të korrupsionit. Ky problem ka ekzistuar në Evropë prej dekadash. Por ai shtoi se kur ka probleme buxhetore, korrupsioni bëhet shqetësim më i padurueshëm.
Mendoj se gjatë recesionit, megjithëse faktikisht ka më pak shanse për afere korruptive pasi vetë buxheti është i shtrënguar dhe nuk mbetet shumë për përvetësime, megjithatë në atë kohë njerëzit bëhen më të paduruar dhe vëmendja publike ndaj problemit bëhet më e mprehtë.
Analisti thotë se humbja e besimit tek qeveritë është një problem madhor në vendet evropiane që po përpiqen të vënë në zbatim paketa shtrënguese.
Bullgaria është përfshirë prej javësh nga protesta masive kundër korrupsionit. Në Spanjë, akuzat për lidhjet e kryeministrit me afere korruptive zgjuan revolta popullore.
Në vende si Greqia, Italia dhe Franca ku papunësia po thellohet dhe standardi i jetesës po bie, kur dalin probleme të tilla njerëzit mendojnë: përse duhet të mbajmë ne barrën e masave shtrënguese, kur politikanët nuk po vuajnë së bashku me ne?
Sipas anketës së organizatës Transparency International, shtetasit e 51 vendeve i konsiderojnë partitë politike si institucionet më të korruptuara në vendet e tyre. Më shumë se gjysma e të anketuarve thanë se mendojnë se qeveritë e tyre janë bërë vegla të kontrolluara nga tarafet.
/voa/