Korrupsioni edhe më tutje po e ngulfat perspektivën e Kosovës
Prishtinë, 5 dhjetor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK) ka publikuar të mërkurën Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2012, që përgatitet nga organizata me renome botërore kundër korrupsion, Transparency International.
Bazuar në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2012, është shqetësues fakti se Kosova, ashtu si një vit më parë, mbetet përsëri në mesin e shteteve më nivel të lartë të korrupsionit, duke u renditur në vendin e 105 me radhë, e që hyn në një rang me shtetet si: Algjeria, Armenia, Bolivia, Gambia, Mali, Meksika dhe Filipinet.
Ky fakt vjen nga mos veprimi i institucioneve tona dhe si rezultat i kësaj, Kosova gjendet shumë larg shteteve të cilat janë imune ndaj korrupsionit.
Gjithashtu, Kosova edhe këtë vit nuk arriti ti afrohet as disa prej shteteve të rajonit, të cilat për shkak të progresit që kanë bërë në luftimin e korrupsionit shënojnë ngritje në këtë indeks, dhe për këtë shembulli më i mirë është Kroacia, e cila qëndron në vendin e 62-të.
Një krahasim më i hollësishëm i shtetit tonë në raport me vendet e rajonit rendit këto të fundit në këtë mënyrë: Kroacia në pozicionin 62-të, Maqedonia 69, Bosnja dhe Hercegovina 72, Serbia 80, Kosova 105 dhe Shqipëria 113.
Sa i përket rezultateve në nivel global, Indeksi i Perceptimit të korrupsionit 2012, si shtete më të pastra ndaj korrupsionit radhit Danimarkën, Finlandën dhe Zelandën e Re me një shkallë prej 90.
Nga përfaqësuesit e Traansaprency International thuhet se këto shtete kanë arritur ta mbajnë këtë pozicion për shkak të një sistemi të fortë të qasjes në informata zyrtare dhe rregullave të sjelljes për ata që udhëheqin me pozitat publike.
Ndërkaq, Afganistani, Koreja Veriore dhe Somalia edhe njëherë renditen në fund të këtij indeksi. Në këto vende, mungesa e një lidershipi llogaridhënës dhe institucioneve publike efektive, theksojnë nevojën për të marr një pozicion më të fortë kundër korrupsionit.
Duke pasur parasysh mungesën e vëmendjes dhe të veprimeve të Qeverisë, por edhe të institucioneve përgjegjëse që kanë për qëllim luftimin e korrupsion, KDI/TIK shpreh zhgënjim të madh për mosgatishmërinë e tyre për tu përballë me këtë fenomen.
Nga dita në ditë korrupsioni po e vështirëson dhe rëndon dhe më tej jetën e qytetarëve, po e ngulfat biznesin dhe gjithashtu po e ndalon zhvillimin e vendit.
Ngecja në luftimin e korrupsionit po vjen si rezultat i mosgatishmërisë së ekzekutivit për të garantuar pavarësinë e pushteteve tjera, mbi parimin e ndarjes se pushteteve.
Praktika e gjertanishme ka dëshmuar se klasa politike në pushtet në forma të ndryshme ndikon në të gjitha pushtetet dhe institucionet tjera të pavarura, duke krijuar perceptimin e përgjithshëm se është zënë në dorë shteti.
Ndërkaq, nga funksionimi i dobët i organeve të rendit dhe ligjit, por edhe fuqia dhe ndikimi i madh i politikanëve që kanë mbi to, vendi ynë sot ka stagnuar në zbatimin e ligjeve, e sidomos në ato që kanë për qëllim luftimin e korrupsionit.
Ndërsa, duke ditur se korrupsioni në vendin tonë është më shumë prezent në pozitat e nivelit të lartë të shtetit dhe duke e ditur se kemi funksionim të dobët të institucioneve përgjegjëse të luftimit të korrupsionit, është e pamundur të kemi shpresa se këto të fundit do të ndëshkojnë zyrtarët e lartë të korruptuar.
Një barrierë tjetër që paraqet problem mjaftë serioz dhe që e vështirëson edhe më shumë atakimin e korrupsionit është nepotizmi, prezenca e të cilit po vazhdon të jetë masive, duke zënë vend dhe duke u instaluar edhe në pozitat më larta dhe më kyçe të institucioneve publike. Ndërsa, mungesa e gatishmërisë nga ana e institucioneve tona për ta eliminuar këtë praktikë ka bërë që të dështojnë të gjitha ligjet dhe mekanizmat anti-korrupsion.
KDI/TIK si të vetmen zgjidhje për të dal nga kjo situatë e sheh ndryshimin e qasjes së Qeverisë, e cila për ta përparuar vendin duhet ta ketë prioritet luftimin e korrupsionit, duke filluar brenda për brenda saj.
Kërkohet po ashtu që të ndërmerren hapa të mëtejshëm për të bërë reformat e nevojshme, të cilat do fuqizonin të gjitha institucionet e pavarura të shtetit, e sidomos institucionet për sundimin e rendit dhe të ligjit.
Duke pasur parasysh këtë situatë dhe duke e ditur se luftimi i korrupsionit është një prej prioriteteve kryesore të qytetarëve tanë, por edhe një prej porosive kryesore të Bashkimit Evropian, KDI /TIK i bënë thirrje Qeverisë dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse që të kenë përkushtim më të madh për të arritur progres dhe rezultate konkrete për ta luftuar korrupsionin, nepotizmin dhe krimin e organizuar.
Në të kundërtën, me praninë e këtyre fenomeneve, përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe rrugëtimi jonë drejtë Bashkimit Evropian do të jetë i ngadalshëm dhe pothuajse i pamundur.