Korrupsioni e haraçi po e hanë Kosovën
Prishtinë, 21 prill - Niveli i lartë i korrupsionit dhe haraçit mbesin pengesat e zhvillimit të sektorit privat në Kosovë, të cilat ndikojnë në ikjen e investitorëve të huaj dhe në shkallën e lartë të papunësisë. Bile këto dy dukuri aq shumë janë bërë shqetësuese në Republikën e Kosovës saqë janë shndërruar në kancer, i cili po ha vendin ngadalë përbrenda.
Ikja e investitorëve të mundshëm, ikja e qytetarëve, moszhvillimi ekonomik, papunësia dhe varfëria e madhe e kanë një adresë të përbashkët: korrupsionin dhe haraçin. Shteti ende bën sehir përballë kësaj të keqe të madhe. Bile edhe vetë zyrtarët, që janë thirrur në luftimin e këtyre dukurive, deri më sot nuk kanë bërë asgjë e cila ia vlen të përmendet.
Praninë e korrupsionit në Kosovë e ka pranuar edhe vetë drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni. Ai ka thënë se korrupsioni në Kosovë është i pranishëm bile në masë shqetësuese. Flitet shumë, hetohet pak dhe nuk gjykohet fare. Kjo e keqe po ndikon në të gjitha poret e jetës. Për haraçin duhet të flitet më shumë. Viktimat e haraçit duhet ti denoncojnë të gjitha rastet. Ata nuk duhet të bëhen pjesë e së keqes, por të keqen ta lajmërojnë dhe të bëhen pjesë e angazhimit antikorrupsion, ka thënë Preneti për gazetën Epoka e re.
Meha: Korrupsioni sluftohet me njerëz të korruptuar
Ndërsa eksperti i çështjeve ekonomike, Xhevat Meha, ka thënë për gazetën Epoka e re se nuk mund të luftohet korrupsioni me njerëz të korruptuar. Populli thotë Hajni hajnin nuk e ndjek. Derisa nuk bëhet fronti hajnat në njërën anën dhe johajnat në anën tjetër përballë tyre nuk mund të ketë ndryshim të gjendjes. Ne prej përfundimit të luftës kemi filluar zhvillimin e ekonomisë së tregut, mirëpo zhvillimi ekonomik është i lidhur drejtpërsëdrejti me nivelin e korrupsionit.
Zhvillimi në ekonominë e tregut bëhet në bazë të ligjeve dhe ligjshmërive të tregut, siç janë oferta dhe kërkesa, efikasiteti, racionaliteti etj., ka thënë Meha. Sipas tij, për aq shkallë sa ka korrupsion ligjet e tregut janë të përjashtuara.
Nëse korrupsioni është 5 për qind, efektet e ligjeve të tregut janë 95 për qind e, po ashtu, nëse korrupsioni është 40 për qind, efektet e ligjeve të tregut janë 60 për qind. Nëse korrupsioni është 90 për qind, efektet e ligjeve të tregut janë 10 për qind, është shprehur ai.
Meha ka deklaruar se raportet që janë duke u publikuar që shumë vite korrupsionin e paraqesin në shkallë shumë të lartë.
Sipas tij, kjo shkallë duhet të jetë mbi 70 për qind. I pyetur sa është bërë për luftimin e korrupsionit, Meha është përgjigjur se nuk di ndonjë shembull për luftimin e kësaj dukurie.
Po të ishte bërë diçka do ti kishim parë efektet. Kjo gjendje nuk është vetëm sivjet, por tashmë janë shtatë vjet që kur vijnë raportet afërsisht të njëjta, sipas të cilave një segment përparon e në anën tjetër tre të tjerë bien. Thjesht, nuk është duke u bërë asgjë, ka theksuar Meha.
Rexhepi: Smund të flitet për zhvillim ekonomik aty ku ka korrupsion
Drejtori i Qendrës për Studime Strategjike dhe Sociale STRAS, Ibrahim Rexhepi, ka thënë se ku ka haraç dhe mosfunksionim të efikasitetit aty nuk ka pse të pritet zhvillim ekonomik dhe punësim i njerëzve.
Fatkeqësisht kjo situatë është edhe në Kosovë, pa marrë parasysh rastet individuale, që ndodh të jenë të izoluara me haraç dhe fajde, ka thënë Rexhepi. Ai ka shtuar se treguesit flasin se Kosova është më keq se vendet e rajonit, për siguri dhe forma të ndryshme të sigurimit jashtëligjor të biznesit. Kjo tregon për mosfunksionimin e shtetit, moszbatimin e ligjit dhe shkallën e lartë të korrupsionit, ka deklaruar ai.
Shahini: Bizneset përballen me korrupsion, burokraci dhe padrejtësi
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, në një intervistë për gazetën Epoka e re, pati thënë se sektori privat në Kosovë përballet me probleme të natyrave të ndryshme, duke përfshirë ato të politikave fiskale, që janë tepër të shtrenjta, politikave inventive, të cilat po ashtu janë të shtrenjta dhe të ngarkuara me korrupsion, burokraci dhe padrejtësi.
Shahini ka deklaruar se mosfunksionimi i ligjeve dhe drejtësia e dobësuar janë problemet e vazhdueshme, të cilat vetëm po trajtohen si të tilla e kurrë nuk po gjejnë zgjidhje.
Si rezultat i këtyre problemeve po kemi pakënaqësi sociale, ikje të investitorëve dhe ikje të qytetarëve. Në të ardhmen të gjitha këto duhet të ndryshojnë në mënyrë që të përmirësohen gjendja ekonomike dhe sociale, ka thënë ai, duke shtuar se sistemi i drejtësisë, i cili mund të thuhet se ende nuk është në nivelin e duhur, është mjaft shqetësues për investitorët, por po ashtu duhet pasur parasysh se edhe lufta kundër korrupsionit, burokracisë, haraçit e informalitetit duhet të forcohet dhe ti japë rezultatet e saj.