Korrupsioni dhe krimi i organizuar në rritje te vazhdueshme
Prishtinë, 17 korrik - Lëvizja Fol ka mbajtur konferencë për media, me çrast ka publikuar raportin e monitorimit të aktiviteteve institucionale në luftën kundër korrupsionit, gjatë muajit Qershor.
Publikimi i këtij raporti u mundësua nga USAID-i përmes Programit për fuqizimin e Shoqërisë Civile i implementuar nga Instituti për Komunitete të Qëndrueshme(Institute for Sustainable Communities).
Armend Mazreku, zyrtar i analizimit dhe monitorimit në Lëvizjen FOL deklaroj: Për periudhën Prill-Qershor 2010 në Gjyqësorin e Kosovës në kuadër të kategorisë Shpërdorimi i Pozitës Zyrtare ose Autorizimit nga 119 lëndë gjithsej për këtë kategori janë zgjidhur 10 dhe mbeten 109 lëndë të pazgjidhura. Sa i përket dhënies dhe marrjes së ryshfetit nga gjithsej 38 lëndë, vetëm 3 nga këto janë të zgjidhura.
Sipas tij, Policia në anën tjetër ka raportuar se 19 persona gjithsej janë arrestuar për periudhën Janar-Qershor 2010 për vepra të ndryshme të korrupsionit. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës 68 raste të Korrupsionit janë të dërguara në Prokurori me raport të Prokurorit.
Kuvendi i Kosovës gjatë muajit qershor ka mbajtur katër seanca plenare. Gjatë këtyre seancave nuk është vërejtur ndonjë angazhim për të trajtuar aferat e korrupsionit ose për kërkim të llogarisë për angazhimin e qeverisë në luftimin e korrupsionit, tha Mazreku.
Ai tha se në kuadër të sistemit gjyqësor është bërë riemërimi i 76 gjyqtarëve dhe prokurorëve. Janë realizuar edhe disa takime të Kryeprokurorit dhe është premtuar reformë e thellë e sistemit gjyqësor. Edhe KGJK-ja ka publikuar Raportin e II tre mujor (prill-qershor) në lidhje me rastet korruptive.
Niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit të organizuar në institucionet publike ka alarmuar edhe deputetët e Bundestagu-t gjerman. Disa nga ata kanë pohuar që paratë e qytetarëve gjermanë po investohen në vila private të politikanëve kosovarë...ndaj edhe duhet një kujdes ma i shtuar i qeverisë gjermane për të kontrolluar mjetet financiare të taksapaguesve gjermanë sesi shfrytëzohen nga institucionet e Kosovës.
Shqetësimi kryesor i qytetarëve të Kosovës, sipas Raportit të Paralajmërimit të Hershëm të UNDP-së, është korrupsioni dhe mungesa e rezultateve në këtë luftë po shkaktojnë edhe një trend të rënies së besueshmërisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, tha Mazreku.
Jeta Bajrami, koordinatore e projektit Monitoruesi i korrupsionit deklaroj se Lëvizja FOL që ka muaji Janar i këtij viti bënë monitorimin e aktiviteteve kundër korrupsionit të institucioneve publike në Kosovë.
Ky monitorim ka për qëllim të krijoj mekanizma përcjellës të progresit dhe ngecjes në luftimin e problemit kryesor të vendit. Korrupsioni, i vlerësuar si sfida kryesore për shoqërinë e Kosovës përgjatë 11 viteve të transicionit, vazhdon të mbetet shqetësim i përbashkët i të gjithëve: politikanëve, shoqërisë civile e mediave.
Ndërkombëtarët adresojnë këtë çështje në raportet/vlerësimet e tyre të përvitshme dhe qëndrimet deklarative. Bashkimi Evropian me Raportet e Progresit, e Departamenti Amerikan i Shtetit me raportet periodike për çështje të veçanta, mbesin vërejtjet publike që Kosova i merr pothuajse rregullisht viteve të fundit. Ndërsa raportet e organizatave jo qeveritare ndërkombëtare për Kosovën, kanë qenë të vazhdueshme dhe shpesh herë më të ashpra në adresimin e korrupsionit.
Sipas Bajramit, vendasit mbeten të ndarë në qasjen për korrupsionin dhe luftën kundër tij. Përderisa pushtetarët zotohen për zero tolerancë korrupsionit dhe krimit të organizuar, opozita adreson të kundërtën, duke e cilësuar qeverinë koka e korrupsionit.
Qëndrimet e tyre për çështjen në fjalë ndryshojnë me ndërrimin e pushtetit, e bashkë me të edhe rolet e tyre. Përgjatë qeverisjes nën administrimin e UNMIK-ut, dhe pas shpalljes së pavarësisë, publiku kosovar në rolin e spektatorit ka mundur të përcjell rokadën e pushtetit dhe retorikën pothuajse boshe për luftën kundër korrupsionit. Çështja e statusit, e më pas bërja e shtetit, janë shndërruar Atutë kryesore pas të cilave politikanët kosovarë janë fshehur vazhdimisht, tha ajo.