Korrupsioni, Bullgaria mund të humbasë ndihmat e BE-së
Sofje, 4 shkurt - Bashkimi Evropian paralajmëroi Bullgarinë, anëtarin e tij më të varfër, se mund të humbasë përsëri miliarda euro dhe të gjobitet rëndë nëse qeveria e re dështon në luftën kundër korrupsionit.
Lajmi u bë i ditur sot nga anëtarë të kabinetit qeveritar bullgar.
''Qeveria bullgare e qendrës së djathtë ka dy muaj kohë që të korrigjojë gabimet e qeverisë së mëparshme për të mënjanuar humbjen e 3,2 miliardë eurove, që Bashkimi Evropian do t'i japë në formën e ndihmës për zonat rurale dhe bujqësinë'', deklaroi sot ministri bullgar i Bujqësisë, Miroslav Najdenov në një konferencë shtypi.
''Qeveria që erdhi në pushtet me premtimin për të rregulluar imazhin e Bullgarisë si vendi më i korruptuar në BE, ka shumë pak kohë për manjanimin e gjobave nga Bashkimi Evropian lidhur me marrëveshjet ilegale për çështjen e tokës'', deklaroi kryeministri bullgar, Bojko Borisov në të njëjtën konferencë shtypi.
Borisov fajësoi ish-administratën socialiste në pushtet, e akuzuar shpesh edhe për paaftësi dhe dështim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por analistët politikë thonë se kabineti i ri ka bërë pak gjatë gjashtë muajve të parë në pushtet për vënien në punë të mekanizmave për parandalimin e korrupsionit.