Koronavirusi thellon hendekun mes vendeve të pasura dhe të varfëra
Washington, 21 maj - Pothuajse çdo vend në botë po vuan një rënie të thellë ekonomike për shkak të pandemisë së koronavirusit, por disa vende deri tani e kanë përballuar më mirë se të tjerët situatën duke zbutur ndikimin tek bizneset dhe punëtorët.
Zëri i Amerikës thotë se vendet e përparuara që kanë lëvizur në mënyrë agresive për të përmirësuar shpërthimin e pandemisë po e përballojnë më mirë situatën ekonomikisht, ndërsa vendet në zhvillim që kanë mungesë burimesh për të mbrojtur të prekurit, janë më të rrezikuarit.
Koreja e Jugut, Singapori dhe Vietnami janë shembuj të vendeve që vepruan shpejt dhe në mënyrë efektive për të përballuar shpërthimin e koronavirusit duke mbyllur bizneset, duke zbatuar testime të zgjeruara dhe duke gjurmuar njerëzit e ekspozuar ndaj virusit.
Si rezultat, thonë ekonomistët, këto vende kanë patur më shumë sukses duke rihapur ekonomitë e tyre.
"Nëse i bën këto, atëherë kur rihap ekonominë, në të vërtetë mund të rrisësh besimin, sepse midis të panjohurave është mënyra se si konsumatorët do t'i përgjigjen një rihapjeje graduale", thotë Stephanie Segal, analiste me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Vende të përparuara në Azi, Evropë dhe Amerikën e Veriut janë angazhuar në përpjekjet masive të ndihmës për të kompensuar bizneset dhe punëtorët për humbjen e të ardhurave gjatë mbylljeve të ekonomive.
Vende si Gjermania e kanë mbajtur papunësinë relativisht të ulët duke kompensuar kompanitë për të mbajtur punëtorët në listën e pagave.
Në Shtetet e Bashkuara, e cila po përjeton humbje masive të vendeve të punës, përfitimet e punëtorëve po kanalizohen përmes programeve të papunësisë.
Por, boshllëqet në këto programe i kanë lënë shumë amerikanë të varur gjithnjë e më shumë tek ndihmat në ushqime.
Vendet në zhvillim që kanë luftuar me varfërinë e përhapur para pandemisë, janë goditur veçanërisht shumë nga rënia e thellë e eksporteve globale dhe turizmit botëror.
Duke paralajmëruar një pandemi të urisë, Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për gati 7 miliard dollarë ndihmë humanitare për të ndihmuar ata që janë më në rrezik.
"Ndihma humanitare nuk është thjesht një domosdoshmëri morale. Është një domosdoshmëri praktike për të luftuar virusin. Nëse COVID-19 bën kërdinë në vendet më të varfra, ne të gjithë jemi në rrezik", tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Megjithë nevojën në rritje për ndihmë ekonomike, konservatorët fiskalë janë gjithnjë e më kundërshtues ndaj rritjes së borxhit të qeverisë amerikane që tashmë është fryrë me triliona dollarë që nga fillimi i pandemisë. Ata paralajmërojnë se shpenzimet jashtë kontrollit do të kërkojnë rritje të taksave dhe masa shtrënguese që do të ngadalësojnë rritjen ekonomike për vite me radhë.
"Nëse shohim që njerëzit nuk kthehen në punë, atëherë do të ketë nevojë për ndihmë të mëtejshme. Dhe në atë moment a do të ndjehet dobësi, është një nga gjërat që do të dëgjoni të përmendet", thotë Stephanie Segal.
Por derisa të zhvillohet një vaksinë për koronavirusin ose një trajtim i besueshëm, thonë ekonomistët, mbetet e vështirë të parashikohet se sa e gjatë apo sa e rëndë do të jetë rënia ekonomike. Ata paralajmërojnë gjithashtu se rihapja e bizneseve shumë herët mund të zgjasë krizën.