Koordinohen për finalizimin e Pallatit të Drejtësisë
Prishtinë, 10 janar - Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në takimin e organizuar nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Europian me qëllim të koordinimit dhe intensifikimit të punëve për finalizimin e Pallatit të Drejtësisë.
Ky takim u bashkëkryesua nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi dhe Christof Stock, Drejtuesi i seksionit Operativ në Zyrën Ndërlidhëse të KE-së.
Në takim merrnin pjesë edhe Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, Ministri i Financave, Bedri Hamza, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, Ministri për Infrastrukturë, Fehmi Mujota, Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Abdullah Hoti dhe përfaqësues tjerë mbikëqyrës të kompleksit të Pallatit të Drejtësisë.
Zëvendëskryeministri Kuçi para të pranishmeve tha se për Qeverinë e Republikës së Kosovës, ndërtimi i Pallatit të Drejtësisë mbetët prioritet, duke e vlerësuar këtë projekt si shumë të rëndësishëm për Kosovën dhe në radhë të parë për drejtësinë e saj.
Kuçi kërkoi koordinim më të mirë në mes të palëve të përfshirë në këtë projekt, po ashtu ofroi përkrahjen e nevojshme në emër të institucioneve të Kosovës për të realizuar këtë projekt sa më mirë, në afatin e paraparë dhe sipas dinamikës së planifikuar.
Edhe pjesëmarrësit tjerë shprehen gatishmërinë për të marrë përsipër përgjegjësit e veta që dalin nga koordinimi në intensifikimin e punëve për finalizimin e Pallatit të Drejtësisë.
Mbikëqyrja e punëve në ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë bëhet nga Ministria e Administratës Publike.