19 Nëntor 2024

Kontestohet rritja ekonomike

Albulena S. MAVRAJ  


Prishtinë, 18 nëntor - Edhe pse Qeveria e Republikës së Kosovës ka paraparë që rritja ekonomike të jetë mbi 4 për qind, njohës të zhvillimeve ekonomike në vend dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit e kanë kontestuar këtë vlerësim, duke konsideruar se planet e kësaj qeverie për rritje ekonomike dhe rritje pagash më shumë janë të karakterit politik.

Gërxhaliu: Rritja e pagave diskriminon sektorin privat

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se rritja ekonomike e proklamuar nga Qeveria e Kosovës i përket më tepër një kampanje politike dhe se paralajmërimet e tilla për rritje ekonomike duhet të jenë paksa më të matura.

 

“Shifrat e tilla duhet të analizohen me disa indikatorë makroekonomikë, të cilët janë substancialë për qëndrueshmëri. S’mund të ketë bazë pozitive për rritje ekonomike në qoftë se analizohet vetëm konsumi ose investimet në sektorin publik. Duhet gjithmonë ta kemi parasysh sa janë të hyrat nga jashtë ose sa është lista e investimeve të huaj direkte, ose në forma të tjera sa është mundësia e krijimit të vendeve të reja të punës”, ka deklaruar ai.

 

Sipas tij, është shumë me rëndësi që për të pasur më shumë rritje ekonomike duhet të përmirësohet ambientit biznesor dhe të ketë sundim të rendit dhe ligjit. 


Në këtë kontekst, ai ka deklaruar se në qoftë se një shtet eksporton para të gatshme, siç ndodh në Kosovë, e cila 90 për qind e produkteve i importon, sipas tij, nuk duhet të bëjmë parashikime të tilla.

 

“Vërtet duhet të jemi të matur në parashikimin e rritjes ekonomike edhe për vetë faktin, përveç importit të mallrave të prodhuara në vendet e tjera, përveç eksportit të parasë së gatshme nga Kosova krahas këtyre transaksioneve, bëhet edhe importi i inflacionit dhe një inflacion i rritur e dëmton edhe më tepër stabilitetin ekonomik”, ka thënën Gërxhaliu, duke shtuar se sa i përket rritjes ekonomike, duhet më shumë maturi dhe e bazuar në ekspertiza shkencore.

 

“Është më e rrugës ta kemi një rritje të ulët, por të ketë qëndrueshmëri dhe substanca ekonomike sesa ta kemi një rritje që është më tepër forcë dhe marketing dhe jo substanca”, ka deklaruar ai.


Sa i përket premtimit për rritje të pagave, Gërxhaliu ka deklaruar se premtimet e bëra më tepër i përkasin kampanjës politike zgjedhore.

 

“Rritja e pagave në sektorin publik mund ta diskriminojë sektorin privat, duke bërë që të rinjtë të fokusohen më shumë në sektorin shtetëror. Duhet të kuptohet fare mirë që deklaratat e bëra, sa i përket rritjes së pagave, janë më tepër deklarata që e arsyetojnë kampanjën politike zgjedhore sepse po ta kemi një rritje të tillë, atëherë vërtet do të ketë edhe efekte negative, qoftë në aspektin buxhetor, mbi të gjitha do të ketë orientim të të rinjve që të punësohen vetëm në sektorin publik. Në qofte se jemi të orientuar në sektorin publik, anashkalohet sektori privat, në veçanti sektori prodhues, atëherë zhvillimi ekonomik dhe qëndrueshmëria ekonomike e një shteti do të jenë të zymta, pra edhe Kosova do të ballafaqohet me një problematikë të tillë”, ka shtuar Gërxhaliu.

 

Sipas tij, kosovarët kanë nevojë për asistencë sociale dhe në këtë drejtim duhet të kemi maturi dhe duhet vërtet të mos luhet me emocione.

 

“Jemi të vetëdijshëm se Kosova ka nevojë për asistencë sociale dhe për ndihmë sepse është e vërtetë se ka një varfëri dhe një papunësi, por duhet gjithmonë të kemi prirje horizontale për rritje të pagave dhe jo vertikale, prandaj në këtë drejtim duhet të kemi maturi dhe duhet vërtet të mos luhet me emocione. Duhet të jemi të orientuar që ta forcojmë zhvillimin ekonomik e, krahas zhvillimit ekonomik, mund të rriten pagat qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat”, është shprehur Gërxhaliu.


Piraj: Kosova ka një politikë fiskale të zhdrejtë me stimulimin e investimeve


Edhe njohësi i zhvillimeve ekonomike në vend, Burim Piraj, ka deklaruar se rritja prej 4-përqindësh mund të ndodhë, mirëpo me vështirësi shumë të mëdha.

 

“Kemi përpara investime në infrastrukturë rrugore, që e marrin një pjesë të madhe të buxhetit të Kosovës. Dihet se punëkryesit nuk janë të kompanisë vendore, por ndërkombëtare dhe krejt fitimin e krijuar nga ekzekutimi i punimeve do ta transferojnë jashtë Kosovës. Prandaj një parashikim për një rritje të tillë është pothuajse i pamundur”, ka thënë magjistri i Administrimit të Biznesit, Piraj.

 

Mirëpo sa i përket politikës fiskale, ai ka deklaruar se Kosova ka një politikë fiskale të zhdrejtë me stimulimin e investimeve.

 

“Kosova ka një politikë fiskale të zhdrejtë me stimulimin e investimeve në prodhim. Gjithashtu, ende ka probleme me furnizim me energji elektrike. Prandaj rritja prej 4-përqindësh mund edhe të arrihet, mirëpo me vështirësi shumë të mëdha. Në bazë të zhvillimeve në treg dhe në bazë të asaj që çdo ditë në Kosovë po fuqizohet tregtia dhe nuk kemi investime në fabrika. Pritet të ketë rritje të hyrave buxhetore në kufi. Gjithashtu, të hyrat e brendshme do të rriten me eliminimin e ekonomisë gri dhe fiskalizimin e të gjitha bizneseve brenda vendit, mirëpo nëse do të ketë ngritje të bruto produktit vendor, është vështirë të thuhet”, ka thënë Piraj.

 

Sipas tij, rritja ekonomike dhe krijimi i vendeve të punës, punësimi thelbësor dhe i qëndrueshëm ofrohet me hapjen e fabrikave dhe kompanive shërbyese.

 

“Punësimi thelbësor dhe i qëndrueshëm ofrohet me hapjen e fabrikave dhe kompanive shërbyese. Derisa Qeveria të mos i orientojë investimet në infrastrukturë rrugore, por në investime në lëndë të parë dhe lirim të lëndës së parë nga taksa doganore, nga pagesa në kufi e taksës dhe TVSH-së së lëndës së parë, në njërën anë dhe sigurimin e energjisë elektrike të pandërprerë për të gjitha kompanitë prodhuese, pa marrë parasysh se sa punëtorë i punësojnë ato, nuk do të ketë hapje të vendeve të qëndrueshme të punës dhe as për së afërmi nuk do të jetë në gjendje shteti ynë ta absorbojë fuqinë punëtore të re, e cila krijohet çdo vit”, ka bërë me dije Piraj.

 

Ai ka theksuar se çdo vonesë në këtë drejtim do të ketë shumë pasoja në ekonominë tonë në të ardhmen dhe do të ketë probleme shumë të mëdha sociale. “Për ta krijuar mirëqenien e përgjithshme duhet shtuar 8 për qind rritje ekonomike për Kosovën dhe nivelin e Bruto Prodhimit Vendor”, ka deklaruar ai.


Beqaj: Kosova do të ketë rritje ekonomike mbi 4 për qind

Ministri i Financave (MF), Besim Beqaj, ka deklaruar se vlerësimi i Qeverisë dhe i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) është që gjatë vitit 2014 Kosova do të ketë rritje ekonomike mbi 4 për qind.

 

“Është një rritje ekonomike më e madhja në rajon, por është gjë pozitive për Kosovën. Shumë shtete kanë pasur reduktim të shpenzimeve dhe ulje të pagave, por ne nuk kemi bërë ashtu, pra kemi ecur me ritmet e zhvillimit ekonomik”, ka thënë Beqaj ditë më parë në një intervistë për gazetën.



Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)