Konsensusi dhe privatizimet, kusht për këstin e pestë për Greqinë
Bruksel,18 maj - Angazhimin për privatizimet dhe konsensusin ndërpartiak në Greqi për zbatimin e memorandumit kërkon komisioneri për Çështjet Ekonomike të BE, Olli Rehn, si kusht për depozitimin e këstit të pestë, duke lënë të hapur mundësinë për ristrukturim të pjesshëm të borxhit grek.
Deri në vitin 2012 është rënë dakort për privatizimet që do të sjellin të ardhura me vlerë 15 miliardë euro, theksoi komisioneri, duke shtuar se konsensusi politik në Greqi është i domosdoshëm për stabilitetin ekonomiko-financiar.
Në deklaratat e tij pas Ecofin, Olli Rehn u shpreh se është me të vërtetë e rëndësishme që autoritetet greke të deklarojnë masa vendimtare për të siguruar orientimin e konsolidimit financiar.
Në muajin Shkurt, qeveria greke vendosi dhe deklaroi programin e privatizimeve me vlerë 50 miliardë euro, midis të cilave, sikurse theksoi, 15 miliardë euro parashikohen të grumbullohen brenda vitit 2011 dhe 2012.