14 Maj 2024

Konfirmohet vazhdimi i krizës së eurozonës

Bruksel, 28 prill - Në një raport të ri mbi punën e bankave evropiane në tremujorin e parë të vitit 2012, thuhet se vazhdon kriza ekonomike në 17 vende që janë pjesë e eurozonës.

Shifrat zyrtare tregojnë se ekonomia e Britanisë ka rënë përsëri në recesion, për herë të parë që nga viti 2009.

Zyra e Statistikave Kombëtare tha se prodhimi bruto ka rënë për 0.2 për qind në tremujorin e parë të këtij viti. Kjo rënie pason atë prej 0.3%, të regjistruar në çerekun e fundit të vitit të kaluar. Dy rritje të njëpasnjëshme negative bëjnë që një vend të deklarojë zyrtarisht recesionin.

Banka e Spanjës njoftoi të hënën se ulja e Prodhimit të Brendshëm Bruto ishte thelluar gjatë tremujorin e parë, me një rënie prej 0,4 për qind në krahasim me tremujorin e fundit të vitit 2011, kur kishte rënë tashmë me 0,3 për qind, çka shënon kthimin e Spanjës në recesion.

\"Sipas informacioneve në dispozicion, njoftojmë se Prodhimi i Brendshëm Bruto është tkurrur në tremujorin e parë, pak më tepër se në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, me një normë interesi tremujore me -0,4 për qind\", shkruan në buletinin mujor të saj ekonomik, Banka Qendrore, parashikimet e së cilës janë konfirmuar në përgjithësi nga shifrat zyrtare.

Këto të fundit do të njihen, në versionin e tyre paraprak, të hënën e ardhshme. Dy tremujorë rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto nënkuptojnë hyrjen e një vendi në recesion, nga ku Spanja kishte dalë vetëm në fillim të vitit 2010. Kompania e vlerësimeve financiare, “Standard & Poor”,  zhvlerësoi normën e kreditimit të Spanjës dhe paralajmëroi se në mungesë të shenjave të dukshme të përmirësimit, mund të ulë edhe më tej vlerësimin e saj. 

Një zhvlerësim i normës do të thotë se ekonomia spanjolle tashmë është më e paqëndrueshme dhe kjo do të reflektohet me një shtrenjtim të huamarrjes për Madridin zyrtar në tregjet ndërkombëtare. Tashmë, Spanja vlerësohet me normën BBB+ dhe ekspertët parashikojnë se mund të jetë e detyruar të marrë më shumë hua për të mbështetur sektorin bankar në vështirësi.

Ndërkaq, ish-drejtuesi i Bankës së Gjermanisë dhe një prej udhëheqësve kryesorë të kalimit të vendeve të Europës në bllok në monedhën e përbashkët euro deklaroi se Greqia nuk duhet të ishte bërë pjesë e euros.

Megjithatë, Ernst Welteke, i cili udhëhoqi Bundesbankun në vitet 1999-2004, deklaroi se edhe pa Greqinë, kriza e Eurozonës do të kishte ndodhur dhe se blloku do të ishte përballur me të njëjtat probleme si sot. 

Sipas tij, një prej problemeve kryesore të BE-së është shpërndarja e pabarabartë e pasurisë dhe në mënyrë që një problem i tillë të zgjidhet, vendet e pasura duhet të jenë të gatshme të transferojnë më shumë kapitale në vendet më të varfëra të unionit. “Euro nuk është në një rrezik të tillë siç përflitet”, deklaroi Welteke.

“Kjo monedhë ka qenë e qëndrueshme për dhjetë vjet dhe vazhdon të jetë e tillë edhe në mesin e kësaj krize. Pa dyshim, tashmë është e qartë që Greqia nuk ishte e gatshme atëherë për të hyrë në monedhën e përbashkët, por nuk duhet fajësuar ky vend për të gjithë krizën, jashtë dhe brenda BE-së, pasi kjo do të ishte të gënjeje veten”.

Welteke solli në kujtesë se “Greqia përbën vetëm 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Eurozonës dhe BE e Eurozona do të vazhdojë të funksionojë edhe pa ta. Megjithatë, në këtë pikë, nuk besoj se largmi i Greqisë mund të sillte ndonjë të mirë dhe as do të zgjidhte ndonjë problem”.

Dalja e Athinës nga grupi i 17 vendeve që përdorin monedhën e përbashkët, sipas ish-kreut të Bankës së Gjermanisë, do t’i krijonte problemeve vetëm Athinës, që do të duante të ripaguante kreditë që ka marrë me një monedhë më të dobët dhe kjo do t’i krijonte vështirësi për të marrë hua të reja.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)