Komuniteti i biznesit kerkon ndryshimin e Ligjit te Punes
Prishtinë, 10 tetor - Tryeza e rrumbullakët e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me qëllim të diskutimit rreth Ligjit të Punës, implementimit të tij, dhe rolit të Inspektoratit të Punës i mundësoi komunitetit të biznesit paraqitjen e shqetësimeve tyre lidhur me dispozitat e këtij ligji dhe punës së trupit ekzekutues të inspektoratit të punës.
Si rezultat, konkludim i përbashkët i komunitetit të biznesit ishte nevoja për ndryshimin e disa dispozitave të ligjit ekzistues, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes të të gjithë aketrëve në hartimin e ligjit të ri.
Me këtë rast, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka në fjalën hyrëse tha se ligji i punës që rregullon marrëdhëniet midis punëdhënësve dhe punonjësve, që nga hyrja në fuqi ka shkaktuar shumë pakënaqësi në mesin e komunitetit të biznesit, për shkak të dispozitave rënduese, siç janë ato mbi pushimin e lehonisë si dhe dispozitat e tjera që rregullojnë caktimin e orarit të punës.
Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi tha se në përgjithësi bizneset e Kosovës zbatojnë ligjin e punës dhe inspektorati i punës është i kënaqur me nivelin e zbatimit të ligjit.
Mirëpo, ai shtoi se ka ende hapësirë për përmirësime, duke theksuar se shkeljet kryesore janë evidentuar në mungesën e kontratave të punës. Ai, po ashtu, tha se inspektorati është munduar deri tani që të mos shqiptojë shumë gjoba për shkeljet e ligjit, por të mundohet të informojë bizneset rreth obligimeve të tyre
Së fundi, partneri menaxhues i Management and Development Associates (MDA), si përfaqësues i biznesit, e cilësoi këtë organizim si mundësi të zhvillimit të dialogut publiko-privat dhe kërkoi ndryshimin e disa dispozitave të Ligjit të Punës, duke u fokusuar në atë të Lehonisë dhe Pushimit vjetor.