05 Nëntor 2024

Komunat qëndrojnë më mirë në reformat e prokurimit publik

Prishtinë, 27 mars - Demokraci Plus (D+) publikoi raportin e dytë të vlerësimit gjashtëmujor mbi prokurimin publik në nivel komunal për periudhën janar - korrik 2018, duke u fokusuar në pesë komuna: Gjakovë, Gjilan, Pejë, Prishtinë, dhe Vushtrri.

Ky raport krahasues analizon performancën e këtyre komunave në efektivitetin e prokurimit, integritetin, transparencën dhe cilësinë e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve.

Raporti vlerëson performancën e komunave përmes një numri indikatorësh, si: "Zbatimin e Ligjit", "Praktikat e Mira", "Zbatimin e rekomandimeve nga institucionet mbikëqyrëse", "Transparencën", "Konkurrencën" dhe "Përfshirjen Qytetare". Bazuar në këtë analizë, D + ka gjetur që komuna e Vushtrrisë, Prishtinës dhe Pejës janë performuesit më të mirë gjatë gjysmës së parë të vitit 2018.
 
Në tryezën e D+, Isuf Zejna, i cili prezantoi këtë analizë, vlerësoi se krahasuar me raportin e parë del se këtë herë komunat qëndrojnë më mirë, ku ka reforma kryesore në prokurim publik, sidomos në kuptim të transparencës.

Sipas tij, ka filluar publikimi i një numri më të madh të dokumenteve duke përfshirë edhe kontratat e prokurimit publik.
 
Drejtoresha e zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID, Christina Davis, duke e vlerësuar rezultatin e këtij projekti, tha se në këtë mënyrë luftohet edhe korrupsioni.

“USAID është i kënaqur t’i ndihmojë këto ngjarje që komunat po i praktikojnë dhe kjo ka të bëjë me transparencë dhe llogaridhënie. Në këtë raport, kemi progres më të madh në transparencë, pasi plani i prokurimit dhe kontratat tanimë janë online”, tha zonja Davis.
 
Ndërsa, kryetari i komunës së Vushtrrisë, si komuna që performoi më së miri, Xhafer Tahiri, tha se është diçka e veçantë që komuna që udhëheqë është vlerësuar me numrin më të madh të pikëve, në kuadër të këtij projekti.
 
Ardian Gjini, kryetar i Komunës së Gjakovës, shprehu gatishmërinë e tij që transparencën në këtë komunë t’a ngris edhe më tutje duke vë në dispozicion të gjitha dokumentët për shpenzimin e parasë publike për çdo palë të interesuar.
 
Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës së Gjilanit, tha që pajtohet më të gjeturat e raportit dhe ndjehet mirë që raporti konstaton përmirësim nga viti 2017. Mirëpo, sipas tij, kjo komunë po ballafaqohet me mungesë të personelit në prokurim, pasi që disa prej tyre janë të suspenduar për shkak të aktakuzave.
 
Edhe përfaqësuesit e komunave të tjera: Miranda Mullafazliu - Komuna Prishtinës, Shkumbin Gashi, përfaqësues i Komunës së Pejës, dhe Arbër Ismajli, Komuna e Gjilanit dhanë komente pozitive për këtë analizë mbi prokurimin publik në nivelin komunal.

Për të parë rezultatet e hollësishme dhe ilustrimet grafike të punimit, ju lutem klikoni këtu. Kjo iniciativë është rezultat i mbështetjes së programit të USAID, për Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (USAID TEAM) për Demokraci Plus.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)