Komunat përballen me sfida në menaxhimin e investimeve
Prishtinë, 9 mars - Sot, Instituti GAP organizoi tryezë diskutimi me temë “Sfidat e komunave në menaxhimin e investimeve, shpenzimeve, të hyrave dhe pronave.”
Në fjalën hyrëse, Rrona Zhuri, Hulumtuese në Institutin GAP, tha se qëllimi i këtij raporti ka qenë analizimi i gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) sa i përket investimeve publike që bëjnë komunat dhe problemeve që dalin në këtë drejtim, sikurse pamundësia e komunave për të realizuar investime të qëndrueshme, ekonomikisht të favorshme dhe të përfunduara me kohë.
Bekim Salihu, Analisht Politikash në Institutin GAP, prezantoi të gjeturat e raportit duke theksuar se në raportet vjetore të rregullësisë të ZKA-së shpërfaqen shumë sfida që komunat kanë në procesin e investimeve publike, në shpenzimin e buxhetit, në alokimin e të hyrave vetanake dhe në menaxhimin e pronave publike. Një nga problemet më të mëdha është pamundësia e komunave për t’i realizuar investimet brenda kohës së paraparë. Sfidë tjetër e cila dëmton performancën e komunave është rritja e obligimeve të papaguara dhe atyre kontingjente të komunave të cilat kanë shënuar rritje nga viti në vit. Deri në fund të vitit 2020, vlera e obligimeve kontingjente që kanë komunat është 91 milionë euro, ndërsa vlera e obligimeve të papaguara është 34 milionë euro. Komunat ballafaqohen edhe me sfida tjera si ajo e realizmit të të hyrave vetanake, ku brenda një viti, ato realizojnë të hyra vetanake rreth 79 milionë euro, ndërsa të hyrat që nuk kanë arritur t’i mbledhin komunat deri në vitin 2020 janë mbi 204 milionë euro.
Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), theksoi se ky institucion ndër vite jep numër të madh të rekomandimeve, mirëpo, niveli i zbatueshëmrisë së këtyre rekomandimeve nga komunat nuk është i kënaqshëm. Edhe pse rekomandimet e dala nga ZKA-ja janë konkrete, në vitin 2020 vetëm 41 % e rekomandimeve janë marrë parasysh. Në vitin 2020, ZKA ka dhënë 25 opininone të pakualifikuara dhe 15 opinione të kualifikuara. Ajo gjithashtu ftoi përfaqësuesit komunal që rekomandimet e dala nga ZKA-ja të merren parasysh dhe shprehi gatishmëri për bashkëpunim.
Hykmete Bajrami, Kryetare e Komisionit Parlamentar për Mbikqyrjen e Financave Publike në Kuvendin e Kosovës , theksoi se mekanizmat e Kuvendit të Kosovës nuk munden t’i adresojnë edhe çështjet që bien në nivel lokal, ngase kryetarët e komunave janë të zgjedhur drejtpërdrejt dhe ata u japin llogari kuvendeve komunale, nga të cilat kërkoi që të jenë më aktive në adresimin e rasteve sikurse këto që i paraqet analiza e Institutit GAP. Në cilësinë e ish ministres së financave vuri në pah problemet financiare që dalin nga kontratat kolektive të nënshkruara nga niveli qendror, ndërsa barra e zbatimit bie mbi komunat dhe buxhetet e tyre.
Në këtë diskutim kontribuan edhe drejtorët komunal për buxhet dhe financa si dhe pjesëmarrës të tjerë nga shoqëria civile.