17 Nëntor 2024

Komunat nuk publikojnë dokumentet e tenderëve

Prishtinë, 9 dhjetor - Komunat e Kosovës kanë transparencë shumë të ulët në procedurat e prokurimit publik, u tha në konferencën për media të mbajtur nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK), me rastin e ditës ndërkombëtare kundër korrupsionit.

Kjo ditë shënohet zyrtarisht me datën 9 dhjetor dhe ka për qëllim të ngritë vetëdijen rreth korrupsionit dhe pasojave që sjell ky fenomen.

Artan Canhasi, menaxher i programit kundër korrupsion dhe transparencë në KDI tha se shkalla e lartë e korrupsionit pengon zhvillimin ekonomik, liberalizimin e vizave dhe mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve të Kosovës. Për të tejkaluar këtë situatë Canhasi tha se duhet:

·         Të përmirësohet zbatimi i kornizës ligjore dhe politikave;
·         Të fuqizohen institucionet dhe mekanizmat për konfiskimin e pasurisë;
·         Të rritet transparenca në sistemin e prokurimit publik dhe të adresohen mangësitë;
·         Të përmirësohen statistikat mbi krimin ekonomik dhe trajtimin e krimit.


Isuf Zejna nga KDI, ka shpalosur një raport i cili ka matur transparencën e komunave të Kosovës për prokurimin publik.

Ky raport përmban në pesë (5) shtylla dhe 23 indikatorë. Sipas këtij raporti i cili ka matur transparencën në buxhetim, tenderim, ankande publike, qasje në dokumente dhe ankesat në OSHP, rezulton se komunat e Kosovës janë jo transparente dhe publikojnë numër shumë të vogël të dokumenteve që kanë të bëjnë me prokurimin publik.

Publikimi i njoftimeve për kontratë (shpallje të tenderëve) dhe njoftimeve për dhënie të kontratës (fituesit e tenderëve), është konstatuar se nuk bëhet në ueb faqe të komunave. Vetëm një numër i vogël i njoftimeve 31% janë shpallur edhe në ueb faqe të komunave.

Në anën tjetër njoftimet për fituesit e tenderëve janë edhe më të rralla, përkatësisht 20% e rasteve këto të dhëna publikohen në ueb faqe të komunave.

Asnjë komunë e Kosovës, nuk ka të publikuara të dhëna të tjera si kontratat, raportet e vlerësimit të tenderëve, dosjet tenderuese apo edhe planet e prokurimit e që janë edhe dokumentet më të dijshme të prokurimit.

Të dhënat e publikuar në ueb faqen e KRPP-së janë vetëm sipërfaqësore dhe nuk ofrojnë të dhëna të sakta për tenderët.

Transparenca buxhetore e komunave, po ashtu është konsideruar si e dobët, pasi që komunave u mungojnë të dhënat elementare në ueb faqet e tyre, siç janë buxheti apo raporti i shpenzimeve.

Nga 34 komuna të monitoruara 21 prej tyre nuk kanë të publikuar në ueb faqe buxhetin për vitin 2014. Raportet e shpenzimeve për gjashtëmujorin e vitit 2014 nuk i kanë publikuar 18 komuna të Kosovës.

Këto janë dokumente elementare të cilat përbëjnë transparencën financiare të institucioneve, pjesë shumë e rëndësishme e prokurimit publik. Sipas Zejnajt edhe ankandet publike kanë qenë po ashtu jo transparente në masë shumë të madhe, pasi vetëm të dhëna të kufizuara janë bërë publike rreth ankandeve dhe fituesve të tyre.

Ankesat në OSHP, për vitin 2013 për komuna kanë qenë 103 dhe ato në 77% të rasteve kanë pasur të bëjnë me vlerësimin e ofertave nga komisionet e komunave. Pjesa tjetër e ankesave kanë të bëjnë me përshtatjen e kritereve, mohimin e qasjes në dokumente, kriteret të paqarta dhe ankesa të tjera. Prokurimi elektronik është thënë se do të mund të parandalonte numrin më të madh të ankesave në prokurim.

Synimi i këtij indeksi është që të bëhet presion tek organet komunale që të ofrojnë transparencë më të lartë dhe qeverisje më të hapur. Qasja në informacion lidhur me shpenzimet publike përmes prokurimit publik do t’i mundësonte publikut të njihen më mirë se ku shkojnë taksat e tyre. Njëkohësisht transparenca më e madhe parandalon parregullsitë, keq-menaxhimin dhe korrupsionin e mundshëm në komuna.

Ky projekt i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK) përkrahet nga Ambasada Britanike në Prishtinë dhe ka për qëllim që të rrisë transparencën dhe llogaridhënien në prokurimin publik në komuna.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)