Komunat e mëdha të Kosovës me më pak të hyra nga tatimi në pronë
Prishtinë, 16 dhjetor - Raporti nëntëmujor financiar për buxhetin e Republikës së Kosovës i hartuar nga Ministria e Financave nxjerrë në pah faktin se pothuajse në të gjitha komunat e mëdha të vendit ka pasur rënie të arkëtimit të tatimit në pronë.
Përjashtim në këtë mes bën vetëm Komuna e Prizrenit që ka arritur të grumbulloj më shumë të hyra të tatimit në pronë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave del se Komuna e Ferizajt ka rënie më të madhe të arkëtimit të tatimit në pronë, që pasohet nga Gjakova, Prishtina, Gjilani, Peja dhe Mitrovica.
Rënia e inkasimit në disa komuna të mëdha, përfshirë këtu në veçanti Prishtinën dhe Ferizajn është e pashpjegueshme, thuhet në raportin e MF-së.
Komuna e Ferizajt në nëntë muajt e këtij viti ka arkëtuar 980 mijë euro nga tatimi në pronë, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte arkëtuar 1 milionë e 240 mijë euro, apo 20 për qind më pak.
Komuna e Gjakovës në nëntë muajt e këtij viti ka arkëtuar 880 mijë euro nga tatimi në pronë, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte arkëtuar 980 mijë euro, apo 10 për qind më pak.
Komuna e Prishtinës në nëntë muajt e këtij viti ka arkëtuar 3 milionë e 820 mijë euro nga tatimi në pronë, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte arkëtuar 4 milionë e 90 mijë euro, apo 7 për qind më pak.
Komuna e Gjilanit në nëntë muajt e këtij viti ka arkëtuar 940 mijë euro nga tatimi në pronë, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte arkëtuar 1 milion euro, apo 7 për qind më pak.
Komuna e Pejës në nëntë muajt e këtij viti ka arkëtuar 970 mijë euro nga tatimi në pronë, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte arkëtuar 1 milion e 20 mijë euro, apo 5 për qind më pak.
Komuna e Mitrovicës në nëntë muajt e këtij viti ka arkëtuar 400 mijë euro nga tatimi në pronë, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte arkëtuar 420 mijë euro, apo 4 për qind më pak.
Vetëm Komuna e Prizrenit ka arritur të ketë bilanc pozitiv. Kjo komunë në nëntë muajt e këtij viti ka arkëtuar 1 milionë e 470 mijë euro nga tatimi në pronë, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte arkëtuar 1 milionë e 380 mijë euro, pra 7 për qind më shumë.
EC Ma Ndryshe e ka parasysh faktin se në këtë trend të arkëtimit të hyrave nga tatimi në pronë ka ndikuar vendimi i pushtetit qendror për faljen e borxheve publike. Megjithëkëtë pushteti qendror dhe ai lokal është dashur që ta realizojnë një projektim më real të buxhetit për vitin 2015.
Në këtë situatë, buxhetet e gjashtë komunave të mëdha në Kosovë do të kenë më pak mjete, gjë që edhe mund të sjellë deri te detyrimi për largimin e projekteve të caktuara nga lista e zbatimit.
Prandaj, EC Ma Ndryshe rekomandon Komunat e mëdha të Kosovës si dhe Ministrinë e Financave që të jenë më të kujdesshme gjatë planifikimit të buxhetit vjetor, dhe këtë proces ta realizojnë në përputhje me rrethanat ekzistuese në vend dhe me një qasje më transparente.
Komunat e mëdha të Kosovës dhe Ministria e Financave rekomandohen që në ditët e mbetura të këtij viti të zhvillojnë një fushatë informuese për qytetarët dhe subjektet tjera lidhur me nevojën e pagesës së faturave të fundit të tatimit në pronë.
Projektin Indeksi i Reformës së Transparencës Komunale EC Ma Ndryshe ka nisur që ta zbatoj nga maji i vitit 2015, falë përkrahjes së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, i cili ka shtrirje në komunat e mëdha të Kosovës, Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj dhe Gjakovë, sikurse edhe në Suharekë, Rahovec, Malishevë, Dragash, Mamushë dhe Shtërpcë.
Projekti në fjalë ka për qëllim që ti asistoj komunat në identifikimin e mangësive kryesore sa i përket transparencës sikurse edhe të ofroj udhëzime për adresimin dhe tejkalimin e tyre. Indeksi i Transparencës paraqet edhe një përpjekje të strukturuar për të mbështetur komunat e Kosovës në përmbushjen e standardeve të qeverisjes së mirë, të përcaktuara me reformën e qeverisjes lokale dhe agjendën evropiane të Kosovës.