Komuna u përkujdes që Gërmia ti ofrojë qytetarëve vendpiknik
Prishtinë, 1 maj - Me rastin e festës së 1 majit dhe daljes tradicionale të qytetarëve në parkun e Gërmisë për piknik, Komuna e Prishtinës siguroi të gjitha kushtet që Gërmia sot të jetë një ambient i sigurtë, ambient i pastër dhe e gatshme që ti plotësojë të gjitha nevojat e qytetarëve.
Kësisoj, gjatë 24 orëve të fundit Drejtoria e Inspeksionit ka organizuar kujdestari në mënyrë që gjithçka të shkojë në rregull. Shitësit ambulantë janë vendosur në hapësirat e dedikuara për ta dhe nuk janë lejuar ti zënë shtigjet apo hapësirat e gjelbëra, ndërsa shitësit kontrabandues e as organizatorët e të ashtuquajturave Lojëra të Fatit nuk janë lejuar të futen fare në Gërmi.
Drejtoria e Inspeksionit së bashku edhe me Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Shërbimin e Urgjencave, Policinë, Zjarrëfikësit, Ndihmën e Shpejtë, është siguruar që mos të ketë kalim të makinave, të sigurohet ambienti nga zjarri dhe në rast të ndonjë nevoje shëndetësore, shërbimi të jetë i menjëhershëm. Poashtu edhe Ndërmarrjet Komunale, Hortikultura e Pastrimi u përkujdesën që pastërtia të jetë në çdo nivel.
Deri në momentin kur moti i keq e ndërpreu piknikun, nuk është raportuar asnjë incident, përveç një lëndimi të lehtë të këmbës së një adoleshenti gjatë lojës.