Komuna synon rritjen e punësimit dhe stimulimin e prodhimeve vendore
Prishtinë, 8 maj - Drejtori i Drejtorisë së Ekonomisë dhe Zhvillimit, Genc Bashota, në një konferencë për media informoi lidhur me subvencionet në sferën e bujqësisë që është duke i ndarë Komuna e Prishtinës.
Ne i kemi dhënë një rol të veçantë bujqësisë për arsye se kemi konsideruar se Komuna e Prishtinës ka një potencial shumë të madh për zhvillimin e këtij sektori. Qëllimet kryesore të subvencionimeve në bujqësi janë që ne si Komunë ti mbështesim fermerët në disa lëmi, siç janë pemëtaria, perimtaria, lavërtaria, shpezëtaria, blegtoria, ujitja, etj, tha Bashota, i cili theksoi se buxheti i vitit 2015 për bujqësi është rreth 1 milion e 30 mijë euro, rreth 355 mijë euro më i lartë se sa ai i vitit paraprak, ndërsa tha se do të ketë rritje permanente e buxhetit të bujqësisë gjatë viteve të ardhshme
Sipas drejtorit Bashota, sektori i ekonomisë qëllim kryesor e ka rritjen e punësimit në kryeqytet. Në këtë drejtim ai përmendi tri projekte kryesore: krijimi i Qendrës Komunale për Këshillim në Karrierë dhe krijimi i qendrës për Business Process Outsourcing (BPO) që janë bashkëfinancim midis Komunës dhe qeverisë zvicerane, si dhe tregu mobil i prodhimeve në vlerë të 497 mijë eurove, 80 % të të cilit e financon Komision Evropian, ndërsa 20% të vlerës së projektit, Komuna e Prishtinës. Ai tha se illimisht, planifikohet qe 1.200 fermerë të jenë të inkuadruar në tregun mobil, pa pagesë në dy vitet e para dhe me përkrahje shtesë nga Komuna e Prishtinës për të krijuar mundësi sa më të favorshme për bizneset vendore.
Qëllimet kryesore të të dy sektorëve që i kemi, bujqësia dhe ekonomia, e kanë një emërues të përbashkët, rritjen e punësimit si dhe stimulimi i prodhimeve vendore. Prishtina është qytet që ofron mundësi të zhvillimit të bujqësisë. Kemi shumë zona rurale që gravitojnë në Prishtinë dhe janë pjesë e Komunës dhe përmes bujqësisë mendojmë se do të ndikojmë në zhvillimin ekonomik të qytetit, tha Bashota.
Drejtori Bashota i informoi të pranishmit se gjithsej do të ndahen subvencione në vlerë prej 1,030,000.00 (perimtari: 150,000.00, blegtori: 300,000.00, pemëtari: 80,000.00, lavërtari: 150,000.00, shpezëtari: 70,000.00, bletari: 130,000.00, agropërpunim: 100,000.00, ujitja e kulturave bujqësore: 50,000.00, etj). Në përfundim e sipër është faza e parë e ndarjes së subvencioneve, në vlerë prej 537 mijë euro që përfshin më shumë së gjysmën e buxhetit të kësaj drejtorie.