16 Janar 2025

Komuna ri-tenderon projektin që është nën hetime

Prizren, 26 dhjetor - Gjatë muajit dhjetor EC Ma Ndryshe ka vazhduar me monitorimin e punës së ekzekutivit të komunës së Prizrenit. Gjatë kësaj periudhe në fokus të monitorimit ka qenë sektori i urbanizmit respektivisht zbatimi i projektit për rregullimin e infrastrukturës në Prevallë.

EC Ma Ndryshe shpreh shqetësimin në lidhje me gjendjen e krijuar në fshatin turistik të Prevallës, ku ndërtimet po vazhdojnë pa respektimin e lejeve të ndërtimit të dhëna nga DUPH-ja, ndërkohë që situata rëndohet edhe më shumë nga dështimet në rregullimin e infrastrukturës, siç është shpërndarja e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit.

Gjatë hulumtimit disa javor, EC Ma Ndryshe ka konstatuar parregullsi të shumta të Qeverisë komunale në raport me transparencën në zbatimin e projektit për rregullimin e infrastrukturës në Prevallë. Me javë të tëra monitoruesit e EC Ma Ndryshe kanë tentuar që të sigurojnë kontratën dhe dosjen përcjellëse të projektit “Ndërtimi me koncesion i infrastrukturës në fshatin turistik Prevallë”.

Në bazë të Memorandumit të Bashkëpunimit të nënshkruar me komunën e Prizrenit, EC Ma Ndryshe ka kërkuar nga DUPH-ja që të lejoj qasjen në dokumentet zyrtare, respektivisht kontratën dhe dosjen përcjellëse të projektit “Ndërtimi me koncesion i infrastrukturës në fshatin turistik Prevallë”.

Përkundër pritjes disa ditore nuk është marrë ndonjë përgjigje nga DUPH-ja. Atëherë EC Ma Ndryshe ka dorëzuar kërkesën e njëjtë edhe në Zyrën për Informim të komunës së Prizrenit. ZI-ja ka bërë përpjekje për të ndihmuar monitoruesit e EC Ma Ndryshe duke propozuar kërkimin e kontratës edhe në Zyrën e Prokurimit. EC Ma Ndryshe ia ka adresuar një kërkesë edhe kësaj Zyreje dhe përgjigja që ka marrë nga zyrtarët ka qenë “se e tërë dosja për rregullimin e infrastrukturës në Prevallë është në hetuesi, meqë kjo kontratë është duke u hetuar nga Policia”.

Pas gjithë këtyre kërkesave, EC Ma Ndryshe ka pranuar një njoftim të shkurtër nga DUPH-ja në lidhje me kërkesën për qasjen në dokumentet publike.

Në këtë shkresë DUPH-ja bën të ditur se “KK Prizrenit implementon këtë projekt sipas participimit të pronarëve gjatë marrjes së lejeve ndërtimore” dhe se një operator privat ekonomik i ka realizuar punimet sipas kontratës përkatëse derisa “KK Prizrenit nuk e financon këtë projekt”. Po ashtu bëhet e ditur se “projekti është ende në fazën e implementimit”.

Përgjigjes së vet DUPH-ja ia ka bashkëngjitur edhe procesverbalin e Komisionit komunal 6 anëtarësh që ka bërë vlerësimin e punimeve të kontraktuara në projektin “Ndërtimi me koncesion i infrastrukturës në fshatin turistik Prevallë”, në të cilin figuron vetëm njoftimi mbi pagesat e kësteve në llogari të operatorit në vitin 2007, 2009, 2010 dhe 2011, në shumën prej 161 mijë e 420 eurove.

Ndërsa në rekapitullimin e procesverbalit theksohet se realizimi i punimeve është bërë në shumën 231 mijë e 332 euro, ku 161 mijë e 420 janë paguar, dhe 42 mijë e 977 euro janë grumbulluar nga participimet e reja derisa pagesat që do të realizohen me grumbullimin shtesë janë në vlerë 26 mijë e 935 euro.

Vlen të theksohet se në muajin tetor kryetari i komunës, Ramadan Muja në takimin e rregullt me drejtorët komunal ka miratuar konkluzionin për ri-tenderimin e projektit për rregullimin e infrastrukturës në fshatin turistik Prevallë.

Bazuar në shkresën e DUPH-së të prezantuar në këtë takim thuhet se “komuna në vitin 2007 ka lidhur kontratë me një operator ekonomik për rregullimin e infrastrukturës në fshatin turistik Prevallë, me çmimin prej 1.2 milionë euro, por që kjo kontratë sipas kushteve të specifikuara nuk ka mundur që të zbatohet, dhe për këtë arsye është vazhduar në vitin 2009, për afatin prej 24 muajsh, pa të drejtë të përsëritjes-vazhdimit të saj”.

Aty sqarohet se DUPH-ja ka kërkuar ri-tenderimin e projektit, me qëllim të menaxhimit të PRrU-së dhe zgjidhjen e problemit të ndërtimit të vikend shtëpizave.

Mirëpo tenderi shkon në ri-shpallje ndërkohë që Prokuroria e Qarkut në Prizren ka nisur hetimet në bazë të dyshimeve për keqpërdorim të mjeteve të dedikuara për rregullimin e infrastrukturës në Prevallë.

Për shkak të mungesës së kontratës dhe dosjes në përgjithësi, sikurse edhe paqartësive të shumta sa i përket mënyrës së zbatimit të këtij projekti, EC Ma Ndryshe e ka pas të pamundur që të nxjerr një konstatim të qartë mbi rrjedhën e zhvillimeve në këtë projekt.

Në të njëjtën kohë mungesa e transparencës së duhur nga zyrtarët përgjegjës komunal ka bërë që të ngritën edhe dyshime mbi rregullsinë e kontraktimit dhe zbatimit të projektit, të cilat duhet të zbardhen deri në fund nga organet e drejtësisë.

EC Ma Ndryshe kërkon nga kryetari i komunës së Prizrenit që të anuloj ri-tenderimin e këtij projekti përderisa hetuesit të kryejnë punën e tyre dhe gjyqësori të jep verdiktin e vet final. Po ashtu përshëndet vendimin e Prokurorisë për inicimin e hetimeve dhe zbardhjen e të gjitha paqartësive në këtë projekt.     

EC Ma Ndryshe i bën thirrje edhe një herë ekzekutivit komunal që të shqyrtoj praktikat e deritanishme të transparencës dhe të siguroj qasje të plotë dhe të papenguar te dokumentet publike, sidomos tek ato që implikojnë financa të konsiderueshme.

EC Ma Ndryshe kërkon nga qeveria lokale e Prizrenit, që urgjentisht të ndërmarrë veprime të nevojshme në drejtim të rehabilitimit të gjendjes në fshatin turistik të Prevallës.

EC Ma Ndryshe i bën thirrje edhe MMPH-së që të angazhohet në këtë drejtim dhe të mbikëqyr nga afër aktet dhe projektet që miratohen nga komuna e Prizrenit, me qëllim të parandalimit të degradimit të mëtejmë të Prevallës, si pjesë e Parkut Nacional Malet e Sharrit.

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)