Komuna nuk i cakton pagat e sektorit privat
Prishtinë, 17 prill - Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, bashkë me drejtorin e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Jusuf Thaçin, si dhe ud. në Zyrën për Marrëdhënie me Publikun, Adonis Tahiri, takuan sot kryetarin i Sindikatës së Sektorit Privat dhe Ekonomisë së Vogël dhe Zejtarisë së Kosovës, Jusuf Azemin, si dhe tre përfaqësues të punëtorëve të pastrimit të shkollave.
Punëtorët e pastrimit në dy shkolla të Prishtinës kanë filluar sot grevën, me kërkesë për ngritje, të pagës me paralajmërimin se në ditët në vijim do tiu bashkëngjiten edhe punëtorët e shkollave tjera.
Siç e dimë, Komuna e Prishtinës ka trashëguar kontratë e cila është lidhur nga qeverisja e kaluar, me kompanitë private AB dhe MMS, për pastrimin e institucioneve edukativo-arsimore dhe aftësuese. Niveli i pagave përcaktohet nga kompanitë, për shkak se punëtorët janë të kontraktuar nga kompanitë, e jo nga Komuna e Prishtinës. Rrjedhimisht, Komuna e Prishtinës nuk mund ti rregullojë pagat e sektorit privat, edhe pse drejtuesit e Komunës janë përpjekur të ndikojnë në mbrojtjen e interesit të punëtorëve.
Kërkesat e këtyre punëtorëve në janar të këtij viti ishin: të kenë kontrata, që nuk i kishin më herët; ta marrin pagën me kohë, që nuk e merrnin më herët; tiu ngrihet paga për 20 euro, meqë për vite me radhë merrnin pagë 150 euro (20 euro nën pagën minimale); si dhe të bëhet nivelizimi i pagave mes punëtorëve që kryejnë të njëjtat shërbime.
Komuna e Prishtinës shfrytëzoi maksimalisht hapësirën që kishte për mbrojtjen e të drejtave të këtyre punëtorëve, duke kërkuar nga kompania rritjen e rrogës për 20 euro, rregullimin e kontratave, si dhe ekzekutimin e pagesave më së largu deri në datën 5 të muajit vijues.
Pra, tri nga kërkesat kryesore të punëtorëve, janë realizuar menjëherë, në takimin e parë, përderisa një gjë e tillë nuk kishte ndodhur për shumë vite, prej se këto shërbime ishin privatizuar. Kërkesa e katërt që kishte të bënte me nivelizimin e pagave, sipas marrëveshjes me punëtorët, u la që të shqyrtohet deri në shtator të këtij viti, për shkak të kushteve aktuale kontraktuale dhe linjave buxhetore ekzistuese që e pamundësojnë një intervenim të mëhershëm.
Të njëjtat fjalë u përsëritën edhe sot në takim nga përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës. Vlen të theksohet se Komuna ka kontratë me kompaninë, dhe po mundohet maksimalisht për ti mbrojtur të drejtat e punëtorëve, pavarësisht moshpërfaqjes të të gjitha informacioneve nga ana e përfaqësuesit të sindikatës, i cili edhe ashtu është nga sindikata e Sektorit Privat dhe Ekonomisë së Vogël dhe Zejtarisë së Kosovës, përderisa Komuna është përgjegjëse vetëm për sektorin publik.