Komuna e Prizrenit nuk e ka zbatuar rekomandimin për lejet e ndërtimit
Prizren, 26 gusht - Komuna e Prizrenit nuk ka arritur që të vendos kontrolle efektive dhe monitorim të duhur gjatë trajtimit të rasteve të ndërtimit dhe rekomandimi i dhënë nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) rreth kësaj çështjeje ka mbetur i paadresuar.
Në Raportin e fundit të Auditorit që është publikuar muaj më parë bëhet e ditur se rekomandimi për lejet e ndërtimit i paraqitur në vitin e kaluar nuk është zbatuar nga ana e Komunës së Prizrenit.
Auditori vitin e kaluar pat rekomanduar se Kryetari i Komunës duhet të sigurojë që numër i mjaftueshëm i stafit është i angazhuar në drejtorinë e urbanizmit dhe me kohë dhe kompetencë i trajton të gjitha aplikacionet për leje ndërtimi. Kontrollet dhe monitorimi në këtë proces duhet të forcohen për të parandaluar ndërtimet pa leje dhe mbindërtimet, dhe nëse është e nevojshme, të aplikojë edhe ndëshkimet e parapara me ligj, thuhej në raportin e vitit të kaluar (linku i raportit: http://oag-rks.org/repository/docs/sq_Raporti_Final_Prizren_327559.pdf). Këtë rekomandim ZAP e pat dhënë pasi kishte gjetur se nga 784 kërkesa të bëra gjatë vitit, vetëm 502 prej tyre ishin aprovuar, dokumentacioni i kërkuar nuk është plotësuar. Ne kemi vërejtur që edhe ata të cilët janë pajisur me leje ndërtimi, nuk i përmbahen kritereve të përcaktuara nga urbanizmi. Për më tepër, Komuna nuk ka ndërmarrë masa adekuate për ndalimin e kësaj praktike, shkruante në raportin e vitit të kaluar. Sipas Auditorit numri i ulët i trajtimit të aplikacioneve për leje ndërtimi ka ndikim direkt në uljen e të hyrave potenciale nga ky burim dhe në shtimin e rrezikut për ngritje të numrit të ndërtimeve ilegale, derisa mungesa e kontrolleve dhe monitorimit të procesit të lëshimit të lejeve ndërtimore, mund të rezultojë me shkelje të kërkesave ligjore dhe standardeve të ndërtimit.
Ndërkaq në raportin e fundit, Auditori ka gjetur se në drejtorinë e Urbanizmit 12 zyrtarë janë angazhuar me kontratë për shërbime të veçanta me kohë zgjatje me shumë se gjashtë muaj; derisa rekomandimi i vitit të kaluar për lejet e ndërtimit ka mbetur i paadresuar. (linku i raportit: http://oag-rks.org/repository/docs/RaportiAuditimit_KPZ_2015_Shqip_550195.pdf)
Bazuar në këto të dhëna, EC Ma Ndryshe përsërit vlerësimin e dhënë më parë se Qeveria Komunale ka telashe serioze sa i përket vendosjes së rendit urbanistik në Prizren. Ndërkohë paraqitja e rekomandimeve për përmirësim në këtë fushë e ka humbur më kuptimin, pasi që edhe rekomandimet e institucioneve relevante shtetërore po shpërfillen nga kjo qeverisje.