Komuna e Prizrenit nis vitin me shpalljen e dhjetë tenderëve
Mitrovicë, 16 janar - Ec Ma Ndryshe në kuadër të projektit "Transparenca online e Komunës së Prizrenit" këtë javë ka marrë pjesë në mbledhjen e kryetarit të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja me drejtorët komunal, ku janë miratuar disa konkluzione.
Qeveria komunale e Prizrenit në mbledhjen e parë të saj të vitit 2013 ka miratuar vendime të shumta, që kryesisht kanë të bëjnë me lejimin e shpalljes së tenderëve për kryerjen e punimeve të ndryshme në objektet arsimore, furnizim me pajisje e shërbime tjera, sikurse edhe kërkesat e caktuara të dikastereve përkatëse.
Më së shumti leje për shpallje të tenderëve ka marrë Drejtoria e Arsimit dhe Shkencës, të cilës i është dhënë drita e gjelbër për procedimin e shtatë tenderëve, derisa një propozim i është refuzuar.
Në bazë të kërkesës së DKASH-së, ekzekutivi lokal ka miratuar shpalljen e tenderëve për: meremetimin dhe rregullimin e oborrit të SHFMU Luigj Gurakuqi në Nashec (parallogaria 20 mijë euro); renovimin e kulmit të SHFMU Shtjefën Gjeçovi në Zym (parallogaria 10 mijë euro); renovimin e kulmit të SHFMU Heronjtë e Lumës në Shkozë (parallogaria 10 mijë euro); riinstalimin e nxehjes qendrore në SHFMU Fadil Hisari në Prizren, i cili projekt sipas sqarimit të DKASH-së nuk është realizuar edhe pse ka qenë i planifikuar disa vite me radhë (parallogaria 50 mijë euro); ndërrimin e kulmit dhe punimin e nyjeve sanitare në SHFMU Motrat Qiriazi në Prizren (parallogaria 50 mijë euro); punimin e rrethojës së oborrit në SHFMU Dëshmorët e Hasit në Kabash të Hasit (parallogaria 40 mijë euro); ndërrimin e dyerve dhe dritareve në SHFMU Sezai Surroi në Korishë (parallogaria 45 mijë euro). Kërkesa e DKASH-së për hartimin e projekteve të ndryshme shkollore nuk është miratuar.
Qeveria lokale ka aprovuar propozimin e Drejtorisë për Shërbime Publike për lejimin e shpalljes së tenderit për hartimin e projektit për identifikimin e shenjave të trafikut në komunën e Prizrenit.
Ekzekutivi i Prizrenit është pajtuar me propozimin e Drejtorisë për Administratë dhe ka lejuar shpalljen e tenderit për ndërtimin e shtatores së Ismail Kryeziut në kompleksin memorial në Arbanë, sikurse atë për furnizim me pajisje kompjuterike për nevojat e administratës komunale.
Në këtë mbledhje është miratuar edhe kërkesa e Shoqatës së të Burgosurve Politik dega në Prizren, për mbështetje financiare në bazë vjetore. Ka kaluar edhe kërkesa e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për mbështetje materiale të organizimit të ceremonisë për shpalljen e më të dalluarve në lëmitë e sportit e kulturës.
Qeveria komunale ka miratuar edhe propozimin e ardhur nga Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale rreth lejimit të shpërndarjes së druve për djegie, të cilët kanë mbetur pa u tërhequr nga disa invalidë të luftës së UÇK-së dhe të njëjtat ti dedikohen disa familjeve skamnore.