18 Nëntor 2024

Komuna e Prizrenit me dobësi në performansën buxhetore

Prizren, 25 mars - Në kuadër të projektit të monitorimit të transparencës së ekzekutivit komunal të Prizrenit, EC Ma Ndryshe gjatë muajit mars ka analizuar pasqyrat financiare të Komunës së Prizrenit për periudhën janar-dhjetor 2013.  

Raporti vjetor financiar i Drejtorisë së Ekonomisë dhe Financave zbulon se vitin e kaluar Komuna e Prizrenit është ballafaquar me dobësi në performansën buxhetore, pasi që vitin 2013 e ka përmbyllur me afër 2.5 milionë euro borxhe të papaguara.

Pasqyra e faturave (obligimeve) të papaguara të Komunës së Prizrenit tregon se në kategorinë ekonomike të investimeve kapitale janë afër 2 milionë euro borxhe të trashëguara, derisa borxhi i papaguar për shpenzimet komunale është 135 mijë euro, pastaj 75 mijë euro për subvencione dhe 70 mijë euro për mallra e shërbime.

Shuma e obligimeve është shqetësuese krahasuar me vitet e kaluara, ku në vitin 2012 borxhet e komunës kanë qenë 993 mijë euro dhe afër 1.2 milionë euro në 2011. 

Çështja bëhet më serioze kur shqyrtohet edhe niveli i arkëtimit të hyrave vetanake, ku nga 6.2 milionë euro të planifikuara për vitin 2013 janë arkëtuar vetëm 4.2 milionë, që paraqet një rënie krahasuar me vitin 2012 ku janë grumbulluar afër 4.4 milionë dhe 2011-ën kur janë inkasuar afër 5 milionë euro. 

Ndërkohë përkundër këtyre trendëve negativë pasqyrat financiare të Komunës së Prizrenit tregojnë se ka një rritje shpenzimesh në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, pasi që në vitin 2013 janë shpenzuar afër 2.5 milionë euro, që është për gjysmë milioni euro më shumë sesa në vitin 2012.   

Arsyetimi i zyrtarëve përgjegjës komunal është se këto borxhe figurojnë në Raportin Financiar për shkak se shumë projekte nisin në gjashtë mujorin e dytë dhe se realizimi dhe pagesat barten në vitin tjetër.

Mirëpo, “EC Ma Ndryshe” bazuar në monitorim vlerëson se ky arsyetim nuk ka validitet të duhur ngase pjesa e dytë e vitit 2013 ka qenë periudhë elektorale.

Bazuar në këto të dhëna del se qeveria lokale e Prizrenit nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e shoqërisë civile që kanë pas për qëllim përmirësimin e performansës buxhetore të komunës.

“EC Ma Ndryshe” tani më disa herë ka kërkuar qeverisje të mirë me paranë publike, në përputhje edhe me konstatimet e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës, i cili organ shtetëror ka gjetur dobësi të ndryshme në performansën buxhetore të komunës së Prizrenit.

Përkujtojmë qeverinë komunale që duhet t’i zbatojë standardet e qeverisjes së mirë, të cilat janë: përqendrimi në rezultate që janë në dobi të qytetarëve; sigurimi se qytetarët marrin shërbime të mira, me vlerë të shtuar për taksat e tyre; llogaridhënia; promovimi i vlerave të institucionit, duke dhënë shembull me sjellje të përgjegjshme dhe menaxhim të mirë të buxhetit dhe vendimmarrja transparente.

Për këto arsye EC Ma Ndryshe rekomandon Komunën e Prizrenit që:

- Të merr masa adekuate për përmirësimin e performansës buxhetore;

- Të hartoj një plan të duhur për shlyerjen efikase të borxheve;

- Të zbatoj pa asnjë vonesë dhe në përpikëri rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm; dhe

- Të paraqet faturat e detajuara dhe jo raportet e përmbledhura, për të dëshmuar transparencën dhe llogaridhënien përballë publikut. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)