Komuna e Prishtinës ndryshon procedurat e Prokurimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik
Prishtinë, 27 dhejtor - AVONET në vazhdimësi është duke ngritur shqetësimin lidhur me shkeljet në aktivitetet e prokurimit, e në këtë rast kemi monitoruar dhe hulumtuar aktivitetin e prokurimit me titull: "Sigurimi fizik i objekteve të QKMF-së dhe QMU-së, Lot 1 dhe Lot 2, Komuna e Prishtinës me datë 12.07.2022 ka zhvilluar procedurë të negociuar në aktivitetin e prokurimit me titull: "Sigurimi fizik i objekteve të QKMF-së dhe QMU-së, Lot 1 dhe Lot 2.
Komuna e Prishtinës këtë aktivitet të prokurimit e ka iniciuar me procedurë të negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë.
Me datë 15.07.2022 Komuna e Prishtinës ka bërë nënshkrimin e kontratës. Pas nënshkrimit të kontratës kemi vërejtur se ka pasur ankesa dhe kemi kërkuar Qasje në Dokumente Publike dhe Informacion në dosjet e Operatorëve Ekonomik, ku kemi vërejtur këto të gjetura: Se janë përdorur në mënyrë jolegjitime deklaratat e disponueshmërisë së mjeteve për një aktivitet të hapur, ndërsa forma ka qenë e negociuar.
AVONET me qëllim të hulumtimit të rastit ka kërkuar opinion ligjor nga KRPP me pyetjen: Sipas LPP-së nëse një aktivitet i prokurimit udhëhiqet forma e negociuar, a lejohet që deklaratat e disponueshmërisë së mjeteve të përdoren deklaratat që janë të destinuara për aktivitet të hapur?
Nga KRPP kemi marrur përgjigjen si vijon:
Konform nenit 87, paragrafit 2, nën-paragrafit 2.8 të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-237, Ligjin Nr. 05/L-068 dhe Ligjin Nr. 05/L-092, duke u bazuar në pyetjen e parashtruar, KRPP sqaron si në vijim:
“Deklarata e Nevojave dhe Vendosshmërisë për Disponueshërinë e Fondeve - DNDF” përmendet në Nenin 9 të LPP-së.
Paragrafi 1 dhe 2 i Nenit 9 përcaktojnë:
“Para se të fillohet me ushtrimin e çfarëdo aktiviteti të prokurimit, ZKA i autoritetit kontraktues duhet të sigurojë që të bëhet një vlerësim formal i nevojave dhe që rezultatet e këtij vlerësimi të regjistrohen formalisht me shkrim dhe të ruhen në dokumentacionin e autoritetit kontraktues. Me këtë vlerësim përcaktohen (i) lloji dhe përmasat e sakta të nevojave të veçanta të autoritetit kontraktues që prokurimi i propozuar parasheh t’i plotësojë; (ii) vlera e parashikuar, lloji i propozuar dhe kushtet përmbajtjesore të kontratës publike që do të jenë lëndë e prokurimit të planifikuar; (iii) specifikimet e propozuara funksionale të secilit objekt që do të përfshihet nga një kontratë e tillë; (iv) përfitimet e pritura nga secili objekt i tillë; (v) në rastin e pajisjeve, mallrave të qëndrueshme dhe punëve, përllogaritja e shpenzimeve të disponimit gjatë tërë afatit të përdorimit të objektit, duke përfshirë shpenzimet e blerjes, operative, mirëmbajtjes si dhe vlerës së mbetur; (vi) një njoftim, mbi atë se nëse aktiviteti i tillë i prokurimit ishte përfshirë në planifikim in e prokurimit, në përputhje me nenin 8 të këtij ligji dhe nëse nuk ishte përfshirë, atëherë një deklaratë mbi arsyet e mos-përfshirjes së tillë; dhe (vii) konstatimin e saktë mbi atë se në çfarë mënyre do të avancojë prokurimi përkatës synimet institucionale të autoritetit kontraktues”.
“Nëse pas vlerësimit të nevojave, ZKA vendos se vlerësimi i nevojave e arsyeton ushtrimin e aktivitetit të prokurimit, ZKA i dërgon një kopje të një vlerësimi ZKF të autoritetit kontraktues. ZKF siguron se ka mjete financiare në dispozicion për prokurimin përkatës...”
Ndërsa paragrafi 5 i nenit 9 të LPP-se përcakton:
"Si dëshmi se autoriteti kontraktues është pajtuar me paragrafët 1. deri 4. të këtij neni, ZKA dhe ZKF do të përgatisin dhe nënshkruajnë një “Deklaratë të Nevojave dhe Vendosshmërisë për Disponueshmërinë e Fondeve”. Deklarata e tillë e Nevojave dhe Vendosshmërisë për Disponueshëmrinë e Fondeve do të përmbajë informatat në vijim: (i) një deklaratë të nevojave me shkrim, e cila i përmbledh rezultatet e vlerësimit të nevojave që është bërë nga autoriteti kontraktues sipas paragrafit 1. të këtij neni, (ii) një deklaratë me shkrim që konfirmon disponueshmërinë e fondeve, që demonstron se autoriteti kontraktues i ka përmbushur obligimet e tij sipas paragrafit 2. të këtij neni, (iii) nëse është e aplikueshme, atëherë duhet që gjithashtu të dorëzohet një deklaratë me shkrim që i parashtron bazat, që kërkohen nga paragrafit 3. të këtij neni, për /pritjet e autoritetit kontraktues në lidhje me përvetësimet e ardhshme: dhe (iv) nëse është e aplikueshme, një deklaratë me shkrim që përshkruan masat që autoriteti kontraktues i ka marrë për t’u përputhur me paragrafin 4. të këtij neni. ZKA do të sigurojë që origjinali i nënshkruar i secilës Deklaratë të Nevojave dhe Vendosshmërisë për Disponueshmërinë e Fondeve të ruhet në dokumentacionin e autoritetit kontraktues dhe që një kopje ti dërgohet ZKF-së. Nëse ZKA vendos që autoriteti kontraktues të vazhdojë me aktivitetin e prokurimit, ZKA do ti dërgojë një kopje të Deklaratës së Nevojave dhe Vendosshmërisë për Disponueshmërinë e Fondeve Zyrtarit Autorizues dhe funksionarit më të lartë të autoritetit kontraktues (përveç rasteve kur ZKA është funksionari më i lartë i autoritetit kontraktues). KRPP do të përgatisë një formular standard të “Deklaratës së Nevojave dhe Vendosshmërisë për Disponueshmërinë e Fondeve” të cilin ZKA dhe ZKF e përdorin për përmbushjen e kërkesave të këtij neni".
Sipas nenit 9 të LPP-së, DNDF duhet të plotësohet nga Autoriteti Kontraktues para se të bëhet inicimi i aktivitetit të prokurimit, për cdo aktivitet të inicuar ndryshon numri i procedurës, i vlerës dhe lloji i prokurimit.
Andaj, bazuar në nenin 9 të LPP-së: DNDF duhet të plotësohet nga Autoriteti Kontraktues para se të bëhet inicimi i aktivitetit të prokurimit, për çdo aktivitet të inicuar ndryshon numri i procedurës, i vlerës dhe lloji i prokurimit”, Komuna e Prishtinës ka vepruar kundërligjshëm me rastin e ndryshimit të procedurës, duke bërë shkelje të LPP-së.
AVONET, ka vërejtur gjithashtu se Kontrata në fjalë është paraparë për 6 muaj në dy lote, ndërsa disponueshmëria e mjeteve është paraparë për 1 vit, ku kemi mospërputhje lidhur me kohëzgjatjen e kontratës dhe buxhetit të paraparë për këtë aktivitet të prokurimit publik.
Vlen të theksohet se data e dispunueshmërisë së mjeteve është e lëshuar 3 muaj para shpalljes së aktivitetit të prokurimit.
AVONET kërkon nga Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës që të fillojnë hetimet ndaj zyrtarëve të prokurimit të Komunës së Prishtinës sepse sipas AVONET-it dyshohet se këta zyrtar kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar, të sanksionuar me nenin 414 të Kodit nr. 06/L-074 të Penal të Kosovës.
"Poashtu, kërkojmë nga kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama që të procedoj procedurën disiplinore ndaj këtyre zyrtarëve të zyrës së prokurimit", thekson në fund AVONET.