Komuna e Prishtinës kërkon nga AKP-ja lirimin e zyrave
Prishtinë, 20 prill - Për të miratuar këtë vendim, votat në Asamble, Lëvizjes Vetëvendosje, pas shumë muajve ia ka siguruar edhe grupi i asamblistëve të Lidhjes Demokratike e Kosovës në javën e kaluar.
Nëse brenda dy javëve, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) nuk e liron hapësirën ku ndodhet, atëherë Inspektorati i Komunës së Prishtinës do të detyrohet që dhunshëm të bëjë lirimin e zyrave të cilat janë në pronësi të Komunës.
Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka miratuar vendimin për lejimin e afatit shtesë Agjencisë Kosovare të Privatizimit për lirimin e hapësirave, të cilat i janë dhënë me qira në bazë të kontratës 01. nr. 046-50871/1, ndërkohë AKP-së i ka skaduar kontrata në fillim të vitit 2016.
Për të miratuar këtë vendim, votat në Asamble, Lëvizjes Vetëvendosje, pas shumë muajve ia ka siguruar edhe grupi i asamblistëve të Lidhjes Demokratike e Kosovës në javën e kaluar.
Kontrata e nënshkruar në mes të Komunës së Prishtinës, si qiradhënës, dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, si qiramarrës, ka skaduar më 31.01.2016, mirëpo Agjencia ka dështuar të lirojë hapësirën e dhënë me qira brenda afatit të përcaktuar.
Jashtë vullnetit të saj, si pasojë e kësaj gjendjeje të krijuar, Komuna është detyruar që të zhvillojë negociata për zgjidhjen e këtij problemi me AKP-në. Në parim janë pajtuar që Agjencisë ti jepet një afat shtesë, deri në fund të prillit, por AKP-së ende nuk i është gjetur një pronë se ku do të vendoset. Agjencia është pajtuar që gjatë afatit shtesë të vazhdojë ti paguajë Komunës qiranë.
Andaj, duke marrë parasysh rrethanat, faktin që afati shtesë i kërkuar është i shkurtër dhe që Komuna do të vazhdojë të marrë qira edhe gjatë afatit shtesë; si dhe duke marrë parasysh që ndërmarrja e masave ligjore për largim të pavullnetshëm të qiramarrësit kërkon kohë të gjatë dhe ka kosto financiare, i propozoj Kuvendit të Komunës miratimin e këtij vendimi, thuhet në miratimin e vendimit të cilin e posedon gazeta.
/Zëri/