04 Nëntor 2024

Komuna e Prishtinës do të nis ndërtimin e një kompleksi banesor në Bërnicë

Prishtinë, 5 shkurt - Komuna e Prishtinës, gjatë këtij viti do të nis ndërtimin e një kompleksi banesor, në kuadër të projektit “Banimi i përballueshëm”. Kompleksi do të ndërtohet në Bërnicë dhe përfitues do jenë punëtorët e sektorit publik.

Drejtori i Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj në një intervistë për Programin e Mëngjesit në Radio Kosovë, ka thënë se kompleksi në një hapësirë prej afro 7 hektarësh, planifikohet t’i ketë mbi 600 banesa, që përbën vetëm 29% të hapësirës së përgjithshme, përderisa pjesa tjetër prej 71% do të dedikohet për gjelbërim, hapësira për qëllime të aktiviteteve sociale, parkingje etj. Shumica e banesave, mbi 500 të tilla do të jenë të tipit 3 dhomëshe, përkatësisht prej 105 m2.

“Hapësira ku do të ndërtohet kompleksi, është pronë e Komunës së Prishtinës, prandaj edhe çmimet do të jenë më të lira se çmimi i tregut tek sektori privat”, ka thënë Kukaj.

Një model i tillë implementohet për herë të parë në Kosovë dhe sipas tij do të ketë projekte të tilla edhe në pjesë tjera të Prishtinës në të ardhmen. Kukaj tha se edhe komunat e tjera lehtë mund të aplikojnë në model të tillë.

Për të pasur të drejtën për të blerë një banesë, duhet plotësuar disa kritere, e që sipas drejtorit Kukaj kriteret do të publikohen së shpejti.

Ideja është që këto 600 banesa të ndahen në mënyrë të barabartë tek kategoritë si në vijim:

- Administrata e Komunës së Prishtinës

- Punëtorët e shëndetit publik, që menaxhon Komuna e Prishtinës

- Punëtorët e arsimit publik, që i menaxhon Komuna e Prishtinës

Kukaj njoftoi se është menduar që të futen edhe kategoritë e policëve, të ushtarëve të Kosovës si dhe mjekët e QKUK-së.

“Mirëpo ideja është që shumica dërmuese e njësive banesore të shpërndahen tek punëtorët e arsimit dhe ata të shëndetit publik. Nuk është përcaktuar se sa banesa do të jenë te cila kategori”, tha Kukaj.

E sa i përket kritereve, ato planifikohet të jenë lehtë të verifikueshme.

“Familjet e personave sa më të varfër të jenë, aq më shumë pikë do të marrin, sa më e madhe të jetë familja poashtu do të kenë më shumë pikë, sa më e re poashtu më shumë pikë. Njëherit është paraparë të ketë pikë shtesë për gjininë femërore”, ka thënë Kukaj.

Problemi më i madh sipas drejtorit të Mirëqenies Sociale qëndron tek vlerësimi i pronave.

“E kemi të pamundur si komunë e Prishtinës në këtë fazë të bëjmë vlerësim të saktë të pronave që mund të jenë në pronësi të aplikantëve. Kështu që do të shkohet në vlerësim të hyrave të familjeve që do të bëjmë ose në bazë të deklaratave nga ATK ose në bazë të qarkullimit në xhirollogaritë bankare. Përderisa për madhësinë e familjes apo sa është e re familja është lehtë e verifikueshme në bazë të dokumenteve të regjistrimit civil”, theksoi Kukaj.

Një parim që do të aplikohet, është se stafi politik i Komunës e ka të pamundur të marrë banesa.

“Do të bëjmë një diferencë ndoshta simbolike me administratat e kaluara, nuk do të ketë asnjë banesë për ne që jemi staf politik”, tha Dren Kukaj.

Ndërtimi po planifikohet të fillohet këtë vit dhe poashtu të gjendet financimi. Tashmë ka dakordim prej disa institucioneve financiare të cilët kanë shprehë gatishmërinë për të financuar këtë projekt. Ndërtimi, përkatësisht përfundimi i këtij kompleksi pritet të zgjasë 2 deri 3 vjet.

Këtë vit nga Komuna e Prishtinës, nis ndërtimi i një kompleksi banesor, në kuadër të projektit “Banimi i përballueshëm”. Kompleksi do të ndërtohet në Bërnicë dhe përfitues do jenë punëtorët e sektorit publik. Për të mësuar më shumë për këtë projekt, se në cilën faze ndodhet, kush mund të konkurrojë për të marrë banesë, e hollësi tjera, kolegu Muharrem Saragjolli ka zhvilluar një interviste me drejtorin e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj.

 

/rtk/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)