08 Nëntor 2024

Komuna e Pejës e para aplikon E-prokurimin

Prishtinë, 13 shkurt - Ministri i Financave Avdullah Hoti, kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik Safet Hoxha, si dhe Kryetari i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri kanë promovuar sot në Komunën e Pejës sistemin e E-prokurimit për nivelin komunal, e cila komunë është e para që ka filluar ta aplikoj këtë sistem.
 
Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se  “Pas shumë angazhimeve të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, ekspertëve të angazhuar në këtë projekt si dhe me ndihmën e partnerëve tanë zhvillimorë, nga janari i vitit 2017 ka filluar së zbatuari  platforma elektronike për E-prokurim. Në kuadër të kësaj reforme e cila është në përputhje me objektivin kryesor të Ministrisë së Financave dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës që është rritja e transparencës dhe efikasitetit në shpenzimet publike, sot Komuna e Pejës ka filluar së zbatuari sistemin e E-prokurimit për nivelin komunal, kjo njëherit është edhe komuna e parë e cila fillon ta aplikoj këtë sistem”.
 
“Me Prokurimin elektronik E-Prokurimi çdo organizatë buxhetore ka përparësi të pakrahasueshme, me qenë se siguron transparencë maksimale dhe objektivitet në përzgjedhjen e përfituesve të kontratave publike, siguron automatizim të procedurave dhe monitorim shumë më të mirë të kontratave, shkëputë kontaktet e drejtpërdrejta të zyrtarëve të prokurimit me operatorët ekonomik gjatë procesit të përzgjedhjes, mundëson që çdo aktivitet i zyrtarëve të prokurimit të jetë plotësisht i gjurmueshëm në sistem online dhe i qasshëm për të gjithë. Prokurimi elektronik gjithashtu mundëson auditim më të lehtë dhe kontroll më efikas të proceseve të prokurimit dhe e rrit përgjegjësinë e zyrtarëve të prokurimit, si dhe ofertat bëhen të lexueshme të gjitha njëkohësisht, sepse sistemi nuk lejon qasje selektive dhe asnjë lloj keq-përdorimi.  Të gjitha këto rrisin konkurrencën dhe rrjedhimisht ulet kostoja për realizimin e investimeve publike”, shtoi Ministri Hoti.

Sipas ministrit Avdullah Hoti me aplikimin e prokurimit elektronik, ne përmbushim dy obligime karshi agjendës tonë për integrime në Bashkësinë Evropiane dhe qasje në institucione financiare ndërkombëtare.
 
“Prokurimi elektronik është pjesë e Programit që ka Qeveria e Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar, përmes të cilit përfitojmë deri në 180 milionë euro kredi direkte buxhetore për financim të projekteve, si dhe qasje në institucione financiare ndërkombëtare. Prandaj, dëshiroj të falënderoj Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik për angazhimet në këtë drejtim për përmbushjen e kësaj pjese të Programit me FMN-në.  Aplikimi i prokurimit elektronik na barazon me shumë shtete evropiane që e aplikojnë këtë formë të prokurimit, si dhe përmbushim kërkesat e Komisionit Evropian të parapara në Raportin e Progresit për Kosovën”, shtoi Ministri Hoti.

Kryetari i KRPP-së Safet Hoxha theksoi se “Sistemi i prokurimit elektronik ofron përgatitje dhe administrim të sigurt, efikas dhe transparent të të gjitha dokumenteve që lidhen me procesin e tenderimit, duke mënjanuar formën e dorëzimit të dokumentacionit në letër dhe duke siguruar një rrjedhë të sigurt të të dhënave përgjatë gjithë procesit”.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, theksoi se “Si çdo herë tjetër Komuna e Pejës është bartëse e ndryshimeve pozitive, prandaj sot së bashku me Ministrin Hoti dhe kryetarin e KRPP-së Hoxha monitoruam sistemin elektronik të prokurimit publik, të cilin Komuna e Pejës ka filluar ta aplikoj nga fillimi i vitit 2017”. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)