17 Nëntor 2024

Komuna e Mamushës shkel Ligjin për Buxhet

Mamushë, 14 nëntor - Në kuadër të projektit të monitorimit të transparencës së ekzekutivit komunal të Mamushës, EC Ma Ndryshe ka hulumtuar çështjen e pagesës së pagave të mësimdhënësve dhe mjekëve të caktuar, por edhe të punonjësve të administratës komunale nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve të buxhetit komunal të Mamushës.

Në bazë të dokumenteve që janë siguruar nga komuna e Mamushës, figuron se Kryetari i Komunës së Mamushës ka marrë një morri vendimesh, nga muaji shkurt e deri në korrik të 2014-ës, për pagesën e pagave të kontratës mbi vepër të një mësimdhënësi në shkollën “Anadolu” dhe dy mjekëve specialistë të Qendrës së Mjekësisë Familjare, si dhe të dy zyrtarëve të administratës komunale, me mjete nga kategoria buxhetore e dedikuar për mallra dhe shërbime. Në të njëjtën kohë praktika e ngjashme është zbatuar edhe në vitin 2013, në disa raste.   

Në lidhje me këtë çështje, monitoruesit e EC Ma Ndryshe i kanë drejtuar Ministrisë së Financave, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrisë së Administratës Publike kërkesën për sqarime ligjore, nëse ekzekutimi i pagave nga kategoria buxhetore e mallrave dhe shërbimeve është e lejuar me ligjet në fuqi.

Sqarimi i marrë nga zyrtarët e Ministrisë së Financave ka sugjeruar se një gjë e tillë përbën shkelje të Ligjit për Buxhetin 2014. MF po ashtu ka sugjeruar që të kihet parasysh edhe mundësia e angazhimeve të përkohshme që krijohen nga marrëdhënia e punës me shërbime të veçanta, sipas dispozitave të Ligjit të Punës.

Ligji Nr. 04/L-233 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014 në nenin 10 që përkufizon Limitet në Zotime dhe Shpenzime, në paragrafin 6 thekson se “shpenzimi i parave publike nga kategoria e shpenzimeve mallra dhe shërbime, nuk është i lejuar për pagesën e punonjësve, qoftë në formë të mëditjeve apo si kontribute në mall, përfshirë këtu shujtat dhe dhuratat”.  

Ndërsa Ligji Nr. 03/L-212 i Punës në nenin 10, paragrafi 6, thekson se  “Kontrata për një detyrë specifike, nuk mund të jetë më e gjatë se 120 ditë brenda një 1 viti”, gjë që nuk është përfillur nga Komuna e Mamushës.  

EC Ma Ndryshe duke i marrë për bazë këto të gjetura rekomandon Komunën e Mamushës që:

-          Të përmirësoj planifikimin e buxhetit vjetor komunal;

-          Të ndërmarr masa të menjëhershme që praktikat e pagesës së mësimdhënësve, mjekëve dhe punëtorëve të administratës të mos realizohen më nga kategoria mallra dhe shërbime, por nga kategoria e dedikuar për pagat, duke i futur të gjithë punonjësit në sistemin e pagave;

-          Të respektojë limitet e caktuara mbi numrin e punëtorëve në administratën komunale; dhe

-          Të menaxhoj me ndjeshmëri më të madhe paranë publike.    

Gjithashtu, EC Ma Ndryshe rekomandon MAPL-në që të mbikëqyr në mënyrë më strikte vendimet e Komunës së Mamushës, në mënyrë që ato të jenë në përputhje me ligjet në fuqi. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)