Komuna e Klinës shpenzon më shumë për vetura se për shkolla
Prishtinë, 30 tetor - Instituti GAP publikoi Letërnjoftimin e Komunës së Klinës 2012 raport i cili vlerëson qeverisjen e kryetarit Sokol Bashota dhe koalicionit PDK-LDK-LDD, përgjatë periudhës janar 2010-shtator 2012.
Raporti i GAP-it vlerëson se gjatë këtij mandati, komuna e Klinës është karakterizuar me keqpërdorime të shumta të parasë publike, shkelje të ligjeve në fuqi, mos realizim të premtimeve zgjedhore, shkelje të procedurave të tenderimit, mos transparencë, largime të të punësuarve në baza partiake, punësime në baza familjare, etj.
Sipas raportit, Klina shpenzon më shumë buxhet për mirëmbajtjen e veturave zyrtare, se sa mirëmbajtjen e objekteve shkollore dhe shëndetësore.
\"Shumë më shumë është shpenzuar për mirëmbajtje të veturave se sa për mirëmbajtje të shkollave (30.724 euro), mirëmbajtje të ndërtesave (8.586 euro), mirëmbajtje të objekteve shëndetësore (13.551 euro).
Në periudhën janar-shtator 2012 janë shpenzuar 20.924 euro për mirëmbajtje të veturave, shumë më shumë se për mirëmbajtjen e objekteve shkollore (19.239 euro), objekteve shëndetësore (2.455 euro), apo mirëmbajtjen e ndërtesave (11.329 euro)\", evidenton problemet ky raport.
Më tej thuhe se kjo komunë s\'ka respektuar për më shumë se dy vite vendimet e Komisionit të Pavarur Mbikëqyrës, Gjykatës Komunale të Klinës, Gjykatës së Qarkut në Pejë, Gjykatës Kushtetuese.
Klina ka shkelur Planin Zhvillimor Urban, duke i lejuar kompanisë private ndertimin e dy objekteve 9 kateshe, 3 kate me shume se sa qe lejohet me PZHU.
E gjetur tjetër është se në Klinë, përkundër se kalojnë pesë lumenjë, ky qytet përballet me mungesë të ujit të pijes.