Komuna e Istogut do te ndërtojë shtëpi për familje të pastrehë
Istog, 6 prill - Kryetari i komunës së Istogut Haki Rugova ka nënshkruar sot marrëveshjen e bashkëpunimit me ministrin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenie Sociale Arban Abrashi, për realizmin e projektit për ndërtimin e shtëpive për familje të pastrehë.
Me këtë rast kryetari Haki Rugova, falënderoj ministrin Abrashi për mbështetjen e vazhdueshme në projekte participuese dhe tha se komuna për vite me radhë ka bërë ndërtimin e shtëpive për familje të pastrehë dhe rasteve sociale por kësaj radhe do ta ketë edhe mbështetjen e Ministrisë , ku komuna do të participoj me 75 mijë euro dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me 20 mijë euro.
\"Konsideroj që me këtë shumë do të ndërtojmë së paku 8 shtëpi mirëpo ne do ti përkrahin këto familje edhe me material ndërtimor siç kemi bërë vite me radhë\", tha ndër të tjera kryetari Haki Rugova.
Ndërsa ministri Arban Abrashi, falënderoj kryetarin Rugova i cili ka marrë iniciativë dhe ka ndarë fonde për ndërtimin e shtëpive dhe në këtë mënyrë ka ndihmuar edhe qeverinë përmes projekteve të bashkëfinancimit.
"Këtë mision fisnik në formë bashkëpunimi, ne nënshkruam sot një marrëveshje që nënkupton bashkimin e fondeve të ministrisë dhe komunës."
"Ky projekt do të ndihmoj në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të komunës së Istogut", u shpreh ministri Abrashi.
Deri më tash komuna e Istogut ka ndërtuar 37 shtëpi për familjet në nevojë, ku 2 nga to janë ndërtuar me donacione ndërsa të tjerat janë investim i komunës së Istogut.