Komuna e Istogut aprovon Kornizën Afatmesme Buxhetore 2018-2020
Istog, 28 qershor- Kryesuar nga kryesuesi i kuvendit Hazbi Bajra, është mbajtur mbledhja e 48-të e rregullt e legjislacionit të pestë të Kuvendit Komunal të Istogut. Në mbledhje kanë marrë pjesë Kryetari i Komunës Haki Rugova, drejtor të drejtorive komunale si dhe anëtaret e asamblesë komunale.
Shqyrtimi dhe miratimi i Kornizës Afatmesme Buxhetore 2018-2020, raportimi lidhur me zbatimin e rregulloreve të miratuara nga legjislacioni i Kuvendit të Komunës së Istogut, shpallja në diskutim publik e projekt rregullores për tatimin në pronë ishin pika të rendit të ditës së mbledhjes së sotme të kuvendit.
Elaborimin e Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) për vitet 2018-2020 e bëri zyrtari Osman Sadikaj i cili i ka njoftuar anëtaret e kuvendit rreth draft kornizës duke ofruar detaje mbi grantet qeveritare, të hyrat vetanake komunale, si dhe projektet e planifikuara kapitale për periudhën 2018-2020.
Korniza Afatmesme Buxhetore (KAB) që po prezantojmë është një dokument i cili miratohet në parim çdo vit nga Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) dhe Kuvendi Komunal (KK). Ky dokument siguron një analizë të hollësishme të shpenzimeve publike dhe përcakton parametrat dhe prioritetet kryesore për zhvillimin e vazhdueshëm të buxhetit vjetor. Gjithashtu KAB siguron mekanizmat e nevojshëm, përmes të cilave objektivat prioritare të identifikuara në dokumentet strategjike të komunës, aty ku ekzistojnë të integrohen sa më mirë në procesin buxhetor,po ashtu ky dokument do të jetë baza për përcaktimin e sektorëve prioritar të zhvillimit dhe identifikimin e prioriteteve të shpërndarjes së burimeve financiare komunale për periudhën 2018-2020, tha ndër të tjera Sadikaj.
Vizioni i Komunës për tri vitet e ardhshme është për Istogun me zhvillimit ekonomik-prioritet sektori i agro-turizmit dhe bujqësisë, urbanizmin modern dhe shërbime publike efiçiente, i integruara në proceset rajonale dhe ndërkombëtare, një qendër e kulturës dhe turizmit të pasur, arsimim cilësor, shërbime shëndetësore adekuate, rini të shëndoshe dhe me aktivitete sportive.
Të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan nga anëtarët e asamblesë.