Komuna e Graçanicës ballafaqohet me probleme të shumta
Prishtinë, 17 shtator - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), prezanton katalogun e çështjeve për komunën e Graçanicës, që përfshinë problemet me të cilat përballen qytetarët dhe bën prioritizimin e disa çështjeve esenciale që duhet të përfshihen në planifikimet buxhetore të komunave për vitin 2020.
Si rrjedhojë e një hulumtimi në terren, në këtë komunë janë identifikuar probleme në infrastrukturën rrugore, rrjetin e kanalizimit, furnizimin me ujë të pijes, transporti publik, menaxhimin e mbeturinave dhe deponit ilegale dhe ndotjen e lumit Graçanka.
Kjo komunë ka probleme të mëdha me sistem të menaxhimit të mbeturinave dhe deponimeve ilegale. Aktualisht në territorin e komunës së Graçanicës ekzistojnë tri pika kur është fjala për deponitë ilegale, me mbeturina organike edhe inorganike (mbetje ndërtimore). Fshatrat të cilat kanë deponi ilegale janë: Uglar, Preocë, Lapna Sellë.
Komuna e Graçanicës përballet edhe me probleme të ujësjellësit. Në fshatrat si Batush (pjesërisht), Skullan, Radevë dhe Lepi furnizimi me ujë të pijes bëhet përmes puseve private.
Për më tepër katalogu i çështjeve është realizuar gjatë periudhës prill-qershor 2019. Përgjatë kësaj periudhe kohore janë vizituar gjithsej 275 vendbanime (fshatra/ lagje). Qëllimi i këtij katalogu është që ta rrisë vetëdijen qytetare dhe institucionale për rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në konsultime publike me zyrtarët komunal.