Komuna e Gjilanit zotohet për mbështetje të sektorit privat
Prishtinë, 6 gusht - Themelimi i Këshillit Lokal për Zhvillim Ekonomik do të jetë prioritet për Komunën e Gjilanit. Ky ishte zotimi i Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirit, gjatë një tryeze të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me përfaqësues të bizneseve dhe të Kuvendit Komunal të Gjilanit.
Arian Zeka, Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, potencoi se ky organizim është vazhdimësi e përpjekjeve të OEAK për përmirësimin e ambientit afarist në vend, duke krijuar mundësi për diskutime të mirëfillta mbi problemet ekzistuese me të cilat përballet sektori privat në vend, dhe zgjidhje adekuate të tyre.
Tutje, ai tha se takimet si ky vijnë në një kohë kur komunat e Kosovës kanë një rol gjithnjë e më të madh në krijimin e kushteve të cilave do të ndikonin në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes. Në këtë kontekst, Zeka i ftoi të gjithë përfaqësuesit e kompanive të pranishme që ta përdorin këtë rast për të ngritur ato çështje me të cilat bizneset gjilanase ballafaqohen gjatë punës së tyre të përditshme.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri u shpreh se është mirënjohës ndaj Odës Amerikane për organizmin e një takimi të këtillë, i cili sipas tij, është i një rëndësie tejet të madhe për përmirësimin e partneritetit publiko-privat në komunën që ai drejton.
Në fjalën e tij hapëse, Haziri njoftoi bizneset se për shkak të pozitës së favorshme gjeografike të qytetit dhe potencialeve që i ka Gjilani, po punohet shumë drejt krijimit të një zone të lirë ekonomike, e cila do tia lehtësonte në mënyrë të konsiderueshme punën sektorit privat në këtë qytet.
Tutje, duke theksuar se Komuna që ai drejton është shumë e interesuar të fuqizojë sektorin privat, Haziri u premtoi bizneseve të pranishme se në të ardhmen do të shqyrtohen mundësitë e ndryshimit të normave të tatimit në pronë, duke pranuar se në të kaluarën ka pasur mbivlerësime, si dhe u zotua se në periudhat pasuese ata do të punojnë më shumë drejt vlerësimeve sa më të sakta të aseteve për qëllime të tatimit në pronë.
Përfaqësuesit e më shumë se tridhjetë bizneseve të pranishme në këtë tryezë patën rastin që me kryetarin e Komunës të ndajnë shqetësimet me të cilat ballafaqohen ata gjatë operimit të kompanive të tyre në baza ditore. Pikat kryesore të ngritura nga të pranishmit përfshijnë informalitetin, veçanërisht atë në sektorin e transportit të udhëtarëve dhe mallrave; mundësinë e hapjes së një terminali të ri doganor brenda Komunës së Gjilanit; si dhe shqetësimet lidhur me infrastrukturën dhe furnizimin me energji elektrike.
Krejt në fund, pas shtjellimit të një sërë çështjeve me rëndësi për të dyja palët dhe me propozim të përbashkët të Odës Amerikane dhe përfaqësuesve të Kuvendit Komunal të Gjilanit, këta të fundit u zotuan për themelimin e një Këshilli Lokal të Zhvillimit Ekonomik.
Ky Këshill do të përbëhet nga përfaqësues të komunitetit afarist dhe zyrtarëve komunal të Gjilanit, dhe do të ketë për qëllim adresimin e duhur dhe efikas të problemeve të sektorit privat në këtë komunë. Pa marrë parasysh këtë, bizneset u inkurajuan që ti drejtohen asociacioneve të biznesit, siç është Oda Amerikane, të cilat gjithmonë i drejtojnë energjitë e tyre drejt përmirësimit të ambientit të të bërit biznes në vend.