Komuna e Gjilanit organizon Panairin e Punës
Gjilan, 29 maj – Në konferencën me gazetarë të mbajtur sot nga drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik, Valbona Tahiri, është potencuar angazhimi që është duke u bërë në këtë drejtori konform planit dhe strategjive të miratuara, të cilat janë gjithnjë në funksion të zhvillimit, me qëllim të uljes së papunësisë dhe ngritje të standartit të jetës për të gjithë qytetarët e Gjilanit.
Tahiri ka potencuar punët që janë duke u bërë në fushën e përkrahjes së bizneseve fillestare, atyre ekzistuese, të vogla e të mesme duke ofruar trajnime, këshilla dhe bashkëpunim në avancimin biznesor duke qenë sipas saj asistencë e fuqishme sidomos për ato që janë fillestare që nga mbështetja e ndihma në projektime e deri te mbështetja dhe asistimi në aplikime të ndryshme për grante.
“Po punojmë vazhdimisht që në Gjilan të kemi joshje të investitorëve vendor e të huaj. Në bazë të kësaj Komuna e Gjilanit garanton bashkëpunim maksimal për të gjithë investitorët që zgjedhin Gjilanin si vend për të bërë biznes. Gjithashtu jemi duke identfikuar bizneset të cilat kanë interesim për të zgjeruar aktivitetin e tyre biznesor dhe për të hyrë në partneritet me investitorë potencial”, ka thënë drejtoresha Tahiri.
Edhe në fushën e Partneritetit Publik-Privat, fokus i veçantë është duke iu kushtuar rishikimit dhe zhvillimit të projekt-koncepteve për PPP si dhe promovimit të tyre, për investimet e mëdha në fushën e infrastrukturës e sidomos sa i përket trajtimit të ujërave të zeza, efiçiencës së energjisë, energjisë së ripërtrishme, parkingjeve publike etj.
Tahiri ka thënë se si drejtori do të rishikojnë, identifikojnë dhe përgatisin projekt - propozime me qëllim të thithjes së fondeve të BE-së nga programet IPA si dhe burime tjera potenciale të financimit nga niveli qendror dhe donatorë të ndryshëm në Kosovë. Sikur që njëkohësisht ka bërë të ditur se janë duke punuar edhe në promovimin turistik dhe mundësinë e ndërlidhjes me pakot e mundshme turistike me Komunat tjera.
Projektet e realizuara dhe ato që janë në fazën e realizimit me mjetet vetanake, donatorët dhe mjetet e bashkëpunimit edhe ndërkufitar, janë projekti i tregut i përfunduar tashmë te Kisha Ortodokse, pastaj Tregu i gjelbër, i cili është në fazën përfundimtare sipas saj, projekt ky i bashkëpunimit ndërkufitar Gjilan – Kumanovë. Projekti tjetër “Open Door” për mbështetje të bujqësisë, projekti për trashëgiminë kulturore, investimi kapital në rregullimin e shtratit të lumit “Mirusha”, deri në lagjen “Dardania” dhe projekte të tjera që janë aktive në këtë fazë.
Drejtoresha Valbona Tahiri, ka njoftuar se nesër me datën 30 maj 2018, në palestrën e sporteve Komuna e Gjilanit organizon Panairin e Punës në bashkëpunim me GIZ, ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aftësimin Profesional që shpresojmë shumë që do të kemi sukses në këtë fazë ku planifikohet të kemi rreth një mijë vende pune dhe praktikë nëpër biznese të ndryshme.