Komuna e Gjakovës ndan 60,000 Euro për 31 biznese të vogla
Prishtinë, 22 tetor - Në Qendrën Inovative Jakova Innovation Centre në Gjakovë, sot është bërë ndarja e certifikatave për përfituesit e Granteve Komunale.
Me iniciativën e Kryetares së Komunës Mimoza Kusari-Lila, është krijuar Fondi zhvillimor ku në pjesën e parë kanë përfituar 31 persona, pronarë të ndërmarrjeve të vogla që veprojnë në Komunën e Gjakovës.
Kjo skemë është ndarë në kuadër të Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, në Komunën e Gjakovës, që si synim kryesor ka mbështetjen e bizneseve dhe lehtësimin e barrierave për një zhvillim më të madh të tyre dhe ndikim në rritjen e punësimit.
Kryetarja e Komunës Mimoza Kusari Lila në këtë ceremoni, para përfituesve ka shprehur se është shumë e lumtur që sot po bëhet ndarja e granteve për bizneset, duke shprehur besimin që këto ndërmarrje janë motori kryesor i zhvillimit ekonomik dhe gjenerues të rëndësishëm në rritjen e punësimit.
Është kjo iniciativë që ndikon në zhvillimin ekonomik me të cilën kemi mbështetur pronarët, që me idetë e tyre të ndërmarrësisë, kanë arritur rezultate në zhvillimin e ekonomisë së vogël dhe në rritjen e numrit të punësuarve.\"
\"Jam tejet e lumtur që sot kemi mundësinë të ju ndajmë certifikatat nga Komuna e Gjakovës, kjo është një arritje të cilën e kemi cekur që në fillim të qeverisjes komunale dhe se ky fond do të jetë një skemë e përhershme për zhvillimin e shoqërisë dhe biznesit të vogël, ka theksuar kryetarja Kusari-Lila.
Në thirrjen e parë për aplikim komuna ka ndarë 60,000 euro për subvencionimin e bizneseve të reja dhe atyre ekzistuese, të angazhuara kryesisht në fushën e prodhim/përpunimit dhe artizanateve tradicionale të cilat promovojnë trashëgiminë kulturore.
Bizneset të cilat menaxhohen nga të rinjtë dhe femrat po ashtu janë me përparësi në këtë skemë.
Silvana Domi, drejtoreshë e Zhvillimit Ekonomik para pjesëmarrësve dhe përfituesve në këtë ceremoni ka sqaruar fazat nëpër të cilat ka kaluar ky projekt duke theksuar rolin shumë të rëndësishëm të komisioneve të caktuara për vlerësimin e aplikacioneve dhe ankesave të aplikuesve.
Ajo ka shtuar se nga numri i përgjithshëm i aplikuesve që ka qenë 69, kanë përfituar 31 biznese ose 45 % të numrit total. Prej të cilëve:
- 9 biznese ose 29.03 % udhëhiqen nga femrat
- 10 biznese ose 32.26 % janë fillestare dhe
- 11 biznese ose 35.5% janë artizanate.
Në fund të kësaj ceremonie, Fatos Axhemi drejtor i qendrës inovative ka prezantuar projektet në të cilat është e angazhuar kjo qendër dhe e cila ju ofron mundësi për trajnime të ndryshme këtyre bizneseve.
Rëndësia e këtyre granteve është shumë e madhe pasi që ndikon në themelimin, zgjerimin dhe formimin e kapaciteteve të bizneseve, rritjen e punësimit në biznese, si dhe në ngritjen e mirëqenies socio-ekonomike të banorëve të Komunës së Gjakovës.