Komuna e Drenasit do e mbështesë Ujësjellësin Prishtina
Drenas, 19 prill Gjatë ditës së sotme, në vazhdën e takimeve të njëpasnjëshme me kryetar të komunave në zonën e shërbimit, udhëheqësit e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal Prishtina sh.a., në përbërje të kryesuesit të Bordit të Drejtorëve Amir Gashi, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Ilir Abdullahu dhe sekretari Salih Gjonbalaj, takuan kryetarin e komunës së Drenasit Nexhat Demaku, nënkryetarin e komunës Arsim Haxhiu dhe drejtorin e urbanizmit Betim Berisha.
Gjatë këtij takimi u diskutua për çështje të ndryshme, filluar nga gjendja aktuale e furnizimit me ujë të pijshëm, infrastruktura e rrjetit të ujësjellësit dhe ujërave të zeza, zbatimin e Ligjit për Faljen e Borxheve Publike në këtë komunë, planet konkrete të bashkëpunimit dhe projektet specifike zhvillimore, sfidat dhe vështirësitë , rritja e shpenzimeve të ujit të pijshëm gjatë sezonit të verës dhe marrja e masave adekuate për gjobitjen e keqpërdoruesve të ujit përmes një Urdhërese Administrative, që të gjitha në kontekst të zgjerimit të rrjetit dhe përmirësimit të shërbimeve ndaj konsumatorëve të kësaj komune.
Si çështje e rëndësisë së veçantë për të cilën u diskutua dhe u ofrua mbështetje e dyanshme, ishte Programi Mbështetës për Ujësjellës dhe Kanalizim në Zonat Rurale, faza e V-të, financuar nga Qeveria Zvicerane/Swiss Corporation dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, projekte që do të fillojnë shumë shpejtë të realizohen.
Nga ky projekt do të përfitojnë 9 fshatra të Komunës së Drenasit, të ndarë në dy komponenta, përfshirë vendosjen e rrjetave primare të ujësjellësit në gjatësi prej 90 km, ndërtimi i një rezervuari të ri dhe rehabilitimi i ujësjellësve në disa zona rurale që kanë sistem me shumë probleme teknike e që më pas të integrohen në Ujësjellësin Prishtina.
Udhëheqësit e KURPrishtina sh.a. falenderuan kryetarin Demaku dhe stafin e tij shoqërues për pritjen dhe mbështetjen e ofruar, lidhur me të gjitha projektet dhe investimet në rrjetin e ujësjellësit dhe ujërave të zeza për të gjithë qytetarët e komunës së Drenasit.
Nga ana tjetër, kryetari Demaku duke ofruar mbështetje në realizimin e projekteve të përbashkëta, falenderoi dhe përgëzoi udhëheqjen aktuale të Ujësjellësit Prishtina për mënyrën e qasjes ndaj palëve të interesit.
Ai i zotua se Komuna e Drenasit do e mbështesë këtë kompani në kontekst të avancimit të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të investimeve si dhe trajtimit ndër institucional të çështjeve të sipër pëmendura.