Komuna bllokon ndërtimin e Qendrës Inovative në Gjakovë
Prishtinë, 7 dhjetor - Vendosja e gurë-themelit për fillimin e punimeve të Qendrës Inovative në Gjakovë, të financuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në vlerë prej 200,000 , është ndaluar nga Kryetari i Komunës me arsyetimin se nuk ishte ftuar në një forum, por vetëm në ngjarjen kryesore të fillimit të punimeve.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, me datë 18.10.2012, nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Komunën e Gjakovës, ku parashihet ndërtimi i Qendrës Inovative që ka për qëllim mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Gjakovës.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila është ndjerë thellësisht e zhgënjyer me qasjen skajshmërisht të paarsyeshme për refuzimin e një projekti kapital , i cili ka për qëllim zhvillimin ekonomik të Komunës.
Këtu nuk ka hapësirë për politikë dhe nuk ka hapësirë që ne të shtyhemi nga një e kaluar dhe sot të vuajnë të rinjtë e Gjakovës. Është hera e parë që si zëvendëskryeministre pata një eksperiencë të tillë dhe jam e sigurt se sikur të shkoja në njërën nga 36 komuna do ta mirëpritnin këtë projekt, theksoi Kusari Lila.
Kryetari i Komunës së Gjakovës fillimisht ndaloi mbajtjen e forumit të planifikuar në Bibliotekën e Qytetit dhe më pas, në kundërshtim me memorandumin e bashkëpunimit e nënshkruar nga vetë ai, u vendosën shiritat e kuq në vendin ku është planifikuar ndërtimi i Qendrës Inovative, pankartat u larguan nga muri, ndërsa punëtorët u ndaluan të vazhdojnë punimet me arsyetimin se kanë urdhër nga Komuna për të mos lejuar ndërtimin e kësaj qendre.
Arsyetimi i ndalimit të punëtorëve nga komuna ishte se nuk kanë leje, mirëpo bazuar në nenin 3, pika 2 të Memorandumit të Bashkëpunimit thuhet:
Komuna e Gjakovës zotohet se do të bëjë sigurimin e papenguar të punimeve (nga kushdo qoftë) gjatë fazës së ndërtimit dhe objekteve në Qendrën Inovacionit.
Qendra Invovative në Gjakovë ka për qëllim mbështetjen e zhvillimit ekonomik, uljen e papunësisë dhe në veçanti përkrahjen e bizneseve fillestare.
Kjo qendër do të bashkëpunojë me Universitetin Publik si dhe më ato private për tu mundësuar studentëve të zhvillojnë idetë e tyre të biznesit.
Po ashtu, qendra ka për qëllim të ofrojë shërbime për bizneset fillestare dhe do të krijojë lehtësira për fillimin e bizneseve.
Kjo qendër është vetëm njëri ndër aktivitetet e shumta që ka MTI-ja në vargun e projekteve të veta për përkrahjen e biznesit në Kosovë.
Ky inkubator në Gjakovë është i pesti me radhë në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë pas inkubatorëve të Biznesit në Shtime, Deçan, Gjilan dhe Parkut të Biznesit në Drenas.