05 Nëntor 2024

Kompletimi i infrastrukturës i nevojshëm për zhvillimin e bizneseve të Drenasit

Prishtinë, 14 shkurt – Kompletimi i infrastrukturës, krijimi i politikave favorizuese për bizneset, si dhe ulja e nivelit të burokracisë në nivel komunal rrit efikasitetin dhe mundëson për zhvillim të bizneseve operuese në Drenas. Kjo u tha në takimin e organizuar me Kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Agjencionin për Zhvillim Rajonal Qendër.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në fjalën e tij hapëse theksoi se thellimi i bashkëpunimit në mes të sektorit privat dhe institucionit të cilin ai e udhëheq reflekton në rritje të efikasitetit dhe alokim më të mirë të buxhetit të Komunës. Duke potencuar se mbetet i zotuar për krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e bizneseve Lladrovci, vuri theksin mbi disa nga investimet kapitale infrastrukturore të parapara në Komunën e Drenasit si në fushën e stabilitetit energjitik, e poashtu edhe në atë rrugore, në mënyrë që të lehtësohet qarkullimi i njerëzve dhe i mallrave. Poashtu, ai tha se Komuna e Drenasit është në fazë të hartimit të planit zhvillimor dhe urbanistik në mënyrë që të mundësohet planifikim më i mirë hapsinor.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se njoftimi i vazhdueshëm i bizneseve mbi projektet e Komunës, në të cilat njëra palë është drejtëpërsëdrejti e ndikuar ndërsa tjetra luan rol kyç në orientimin ekonomik përmes hartimit të politikave, është e domosdoshme për themelimin e strukturave të dialogut ndër-sektorial, e cila pastaj përkthehet dhe në zhvillim më të hovshëm të sektorit privat dhe të hyra më të larta për Komunën. Ndër të tjera, Zeka gjithashtu theksoi se iniciativa e Komunës së Drenasit për kompletimin e infrastrukturës i shërben një kauze e cila ndër vite e ka vështirësuar zgjerimin e kompanive operuese në Komunën e Drenasit. 

Drejtoresha Ekzekutive e Agjencionit për Zhvillim Rajonal Qendër, Mrika Macula, potencoi se qasja e Komunës së Drenasit për hapjen e të dhënave në lidhje me trajtimin e çështjeve të biznesit ndër të tjera, ka rezultuar dhe në vlerësimin e kësaj Komune si ajo më transparente në Kosovë. Përveç kësaj, Macula theksoi se Komuna e Drenasit ka arritur që të zvogëlojë numrin e procedurave burokratike gjë e cila lehtëson barrën administrative për biznese.
 
Kryesuesi i Komitetit të Prodhimit të Odës Amerikane, Kujtim Gjevori, duke vlerësuar nivelin e ulët të burokracisë në Komunën e Drenasit, përmendi nevojën për ofrimin e mundësive për zhvillimin e mëtutjeshëm të bizneseve të cilat janë të angazhuara në veprimtari stimuluese, përkatësisht në sektorin e prodhimit, i cili gjithashtu paraqet sektorin me hapësirën më të madhe për krijimin e vendeve të reja të punës. Ai theksoi se disa nga kompanitë e këtij sektori të cilat operojnë në pronat e dhëna në shfrytëzim nga Komuna e kanë të pamundur marrjen e kredive të cilat do të rezultonin në zgjerim të tyre, pasi që nuk bëhet një ndarje nga kapitali i investuar dhe vlera e tokës së dhënë në shfrytëzim. Gjevori gjithashtu theksoi nevojën për inkuadrimin e sektorit privat në hartimin e planit zhvillimor dhe urbanistik të Komunës.   

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)