Komiteti i PPP miraton 3 projekte me rëndësi për qytetarët e Ferizajt
Prishtinë, 19 maj - Në Ministrinë e Financave u mbajt sot takimi i radhës i Komitetit të Partneritetit Publiko Privat (KPPP) i udhëhequr nga ministri i Financave Avdullah Hoti, ku diskutuan dhe u aprovuan 3 projekte për Komunën e Ferizajt.
Anëtarët e Komitetit të PPP-së aprovuan Projekt propozimin e Partneritetit Publiko Privat Sigurimi i shkollave fillore dhe të mesme në Ferizaj, për Projekt propozimin e Partneritetit Publiko Privat Parkingu nëntokësorë P2 në Ferizaj në afërsi të Spitalit të qytetit, si dhe Projekt propozimin e Partneritetit Publiko Privat ndërtimi i parkingut P3 në Ferizaj, në afërsi të Stacionit të Policisë.
Gjatë takimit u bë e ditur se sipas studimit të Fizibilitetit qëllimi i Projektit për sigurimin e shkollave fillore dhe të mesme në Ferizaj, është që sigurimi në shkollat fillore dhe të mesme në Ferizaj në 13 lokacione të identifikuara nga Komuna e Ferizajt të rritet në mënyrë të dukshme dhe që standardi i sigurisë në këto institucione të jetë i lartë dhe cilësorë.
Në këtë takim u bë e ditur se qëllimi i Projekt propozimit për ndërtimin e parkingut nëntokësorë në Ferizaj në afërsi të Spitalit të qytetit, është që parkingu të ketë hapësirën e mjaftueshme në mënyrë që ai të jetë i shfrytëzueshëm për të gjithë qytetarët pasi që ndodhet në afërsi të qendrës së qytetit dhe ka qasje të mirë për automjete. Në kuadër të këtij projekti, mbi parkingun nëntokësorë parashihen të ndërtohen hapësira të gjelbra të cilat do të shërbejnë si parqe dhe hapësira në shfrytëzim për qytetarët.
Ndërsa, sa i përket Projekt propozimit për ndërtimin e parkingut P3 në Ferizaj, në afërsi të Stacionit të Policisë, anëtarët e Komitetit të PPP-së u njoftuan nga përfaqësuesit e Komunës së Ferizajt se qëllimi i këtij projekti është që parkingu të ketë hapësirën e mjaftueshme në mënyrë që ai të jetë i shfrytëzueshëm për të gjithë qytetarët dhe ka qasje të mirë për automjete. Në kuadër të kësaj ndërtese parashihen të ndërtohen hapësira të gjelbra të cilat do të shërbejnë si parqe dhe hapësira në shfrytëzim për qytetarët.