Komisionit për Buxhet prioritet Projektbuxhetin e vitit 2011
Prishtinë, 15 mars - Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen konstituive, nën kryesimin e deputetes Safete Hadërgjonaj, kryetare e komisionit.
Duke potencuar që Komisioni për Buxhet dhe Financa është komisioni kryesor i Kuvendit, nëpërmjet të cilit duhet të kalojë çdo projektligj dhe raport financiar, Hadërgjonaj ofroi bashkëpunimin e saj në cilësinë e kryetares dhe njëkohësisht kërkoi përkrahjen e anëtarëve të komisionit, në mënyrë që detyrat e përcaktuara të kryhen me përgjegjësi.
Si një nga detyrat e ngutshme të Komisionit, u tha se është shqyrtimi i Projektbuxhetit për vitin 2011. Anëtarët e komisionit trajtuan disa çështje që lidhen me këtë projektbuxhet, duke potencuar posaçërisht kohën e shkurtër të shqyrtimit të tij.
Duke e pasur parasysh këtë, u dakordua që Komisioni të mblidhet të premten për ta shqyrtuar në parim dhe për tia rekomanduar Kryesisë së Kuvendit konform vendimit që do të merret.
Gjatë kësaj mbledhjeje, në fokus të diskutimeve ishte edhe çështja e bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare që e mbikëqyrin dhe e mbështesin punën e komisionit.
Përfaqësuesi i organizatës gjermane GIZ (Bashkëpunimi Ndërkombëtar Gjerman), e cila e mbështet Komisionin për Buxhet dhe Financa, Alexander Beetz, ofroi bashkëpunim dhe përkrahje të kësaj organizate në detyrat që komisioni i ka para vetes.