Komisioni shqyrtoi raportet vjetore të agjencive të pavarura
Prishtinë, 17 maj - Komisioni për Buxhet dhe Financa në mbledhjen e sotme, shqyrtoi Raportet vjetore financiare të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2015, të Institucionit të Avokatit të Popullit, të Instituti Gjyqësor të Kosovës dhe Zyrës Rregullatore për Ujësjellës dhe Kanalizim për vitin 2015.
E shqyrtoi gjithashtu Projektligjin nr.05/L-077 për regjistrimin dhe ofrimin e shërbimeve dhe masave për punësimin e të papunëve, punëkërkuesve dhe punëdhënësve ,amendamentet e Komisionit funksional për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-019 për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, si dhe amendamentet e Komisionit funksional për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale.
Raportin vjetor financiar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2015 e prezantoi Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, z. Petrit Gashi. Pas diskutimeve, pyetjeve dhe sqarimeve, Komisioni përkrahu raportin dhe i rekomandoi Kuvendit për miratim. Raportin vjetor financiar të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2015, e prezantoi Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, të cilin pas diskutimeve dhe sqarimeve, Komisioni e përkrahu dhe rekomandoi për miratim në Kuvend. Më pas Komisioni shqyrtoi Raportin vjetor financiar të Institutit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2015, që e prezantoi u.d. i këtij instituti, z. Besim Morina, dhe Raportin vjetor financiar të Zyrës Rregullatore për Ujësjellës dhe Kanalizim për vitin 2015, të prezantuar nga drejtori i kësaj zyre, Rafi Preteni. Të njëjtit Komisioni i përkrahu dhe ia rekomandoi Kuvendit për miratim.
Komisioni gjithashtu shqyrtoi Projektligjin nr.05/L-077 për regjistrimin dhe ofrimin e shërbimeve dhe masave për punësimin e të papunëve, punëkërkuesve dhe punëdhënësve dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-019 për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara dhe amendamentet e Komisionit funksional për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe vlerësoi se projektligjet dhe amendamentet e komisioneve funksionale nuk përmbajnë implikime buxhetore shtesë.