Komisioni përkrah raportin financiar për buxhetin e vitit 2009
Prishtinë, 14 maj -Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Gani Koci, kryetar, ka shqyrtuar raportin financiar për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2009. Në këtë mbledhje komisioni ka bërë shqyrtimin e pesë projektligjeve.
Raportin financiar të buxhetit për vitin e kaluar e prezantoi zëvendësministri i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza. Duke paraqitur raportin, zv.ministri Hamza tha se, e veçanta e këtij raporti është se prezanton performancë të lartë të efikasitetit dhe efektivitetit të institucioneve të Republikës së Kosovës në fushën e menaxhimit të parasë publike. Më tej ai shtoi se, plani buxhetor për vitin 2009 ka qenë 1miliardë e 156 milion e 500 mijë euro. Ndërkaq plani i të dalave buxhetore ka qenë 1 miliardë e 423 milion e 929 mijë euro, duke përfshirë të hyrat vetanake të bartura nga viti 2008, të cilat nuk janë planifikuar me ligjin për ndarje buxhetore.
Komisioni, pas diskutimeve që bëri në lidhje me raportin e paraqitur nga zv.ministri Hamza, unanimisht e përkrahën atë.
Në vijim të mbledhjes, anëtarët e Komisionit miratuan edhe këto projektligje: Projektligjin për Përcaktimin e të Drejtave dhe Mbrojtjen e Topografisë së Qarqeve të Integruara, Projektligjin për Klasifikimin e Informatave dhe Verifikimin e Sigurisë, Projektligjin për Kryqin e Kuq të Kosovës, Projektligjin për Mbrojtjen e Emblemës së Kryqit të Kuq dhe Projektligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje.