15 Maj 2024

Komisioni për ekonomi miratoi Listën e rentave minerare

Prishtinë, 8 maj - Përmbushja e sfidave që dalin nga Raporti i Progresit për vitin 2011 në fushën e tregtisë dhe industrisë dhe të zbatimit të Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, ishin temë qendrore në mbledhjen e sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri të Kuvendit të Kosovës, në të cilën mori pjesë edhe Mimoza Kusari-Lila, zv. kryeministre dhe ministre e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI).

Ministrja Lila, njoftoi për hapat e deritashëm që ka marrë ministria për përmbushjen e detyrimeve të dala nga Raporti i Progresit, për të cilat tha se ato janë arritur në masën më të madhe, ndërkaq, është duke u punuar në përmbushjen e tyre në tërësi.

Ministrja Lila fillimisht foli për zbatimin e legjislacionit në fushën e konkurrencës, për të cilin tha se monitorimi i kësaj pakoje të ligjeve nuk është pjesë e kompetencave të MTI-së.

Lidhur me këtë ajo iu referua Ligjit të konkurrencës për të cilin tha: “Zbatimi i Ligjit të konkurrencës bëhet nga Komisioni i Konkurrencës që është institucion i themeluar nga Kuvendi i Kosoves”. Në vijim,  ajo foli për Agjencinë e Standardizimit dhe numrin e përgjithshëm të standardeve të adaptuara nga ky Agjencion.

Në vijim, ministrja Lila foli edhe për Departamentin e Metrologjisë, për të cilin tha se është në fazën e ristrukturimit. Lidhur me këtë, ajo po ashtu njoftoi se Laboratori Qendror i Metrologjisë së Kosovës ka të funksionalizuar Laboratorin e masës, madhësive elektrike, vëllimit dhe rrjedhjes, Laboratorin për kontroll të cilësisë së punimeve nga metalet e çmuara, ndërsa Laboratori i forcës së termometrisë posedon të gjitha paisjet dhe është në fazën e certifikimit.

Duke folur për Inspektoratin e tregut në MTI, Lila tha: “Me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të tregut dhe mbrojtjes së konsumatorit, MTI-ja është duke dialoguar me komunat për të futur nën ombrellën e Inspektoratit të tregut të gjithë inspektorët komunal”.

Në vijim ajo njoftoi edhe për masat e marra nga MTI-ja për mbrojtjen e konsumatorëve, përafrimin me standardet evropiane dhe njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve profesionale.

Ndër çështjet më me rëndësi sipas ministres Lila janë politikat tregtare, të cilave u kushtoi rëndësi të veçantë në paraqitjen e saj para Komisionit. 

Duke iu referuar punës së deritashme dhe përpjekjeve të MTI-së që të kenë rezultate sa më të mira në këtë fushë, ministrja me këtë rast tha: “Institucionet e Kosovës kanë dëshmuar që kanë kapacitete të udhëheqin mekanizmat rajonal të tregtisë së lirë siç është CEFTA”.

Ajo me këtë rast përkujtoi se gjatë vitit 2011, Kosova ka udhëhequr marrëveshjen për tregti të lirë  të vendeve të Evropës Juglindore.

Në vijim, ministrja foli edhe për masat preferenciale me Bashkimin Evropian e që janë votuar nga Parlamenti Evropian në tetor, ndërsa nga Këshilli i Ministrave të BE-së në nëntorin e vitit të kaluar.

Në vijim, ajo tha se efektet retroaktive për  Kosovën nga marrëveshja preferenciale me BE-në do të jenë nga një janari, ndërkaq shtoi: “Kjo marrëveshje shpreh qartë qëndrimin e BE-së për progresin e shënuar në përmirësimin e politikave dhe raporteve tregtare në mes Kosovës dhe BE-së”. Pas kësaj, ministrja u përgjigj edhe në pyetjet që shtruan anëtarët e Komisionit.

Në vijim të mbledhjes, Komisioni shqyrtoi dhe miratoi Raportin e  Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave për vitin 2011 dhe Listën e rentave minerare.

Po ashtu, në këtë mbledhje u shqyrtua edhe propozimi i Qeverisë për anëtarët e rinj të Bordit të ZRRE-së. Lidhur me këtë, Komisioni me shumicë votash u deklarua në favor të propozimit që kishte sjellë Qeveria për anëtarët e Bordit të ZRRE-së.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)