Komisioni për dhënien e pronës në kundërshtim me UA
Prishtinë, 12 nëntor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar raportin mujor të monitorimit të punës së kuvendeve të komunave të Regjionit të Prizrenit për muajin tetor 2012.
Gjatë muajt tetor 2012, janë thirrur 5 mbledhje nga kuvendet e komunave të Regjionit të Prizrenit dhe të gjitha kanë qenë të thirrura si të rregullta.
Kuvendi i Komunës së Prizrenit, Suharekës, Rahovecit, Malishevës dhe Mamushës gjatë këtij muaji kanë thirrur nga një seancë ndërsa Kuvendi i Komunës së Dragashit gjatë muajit tetor nuk ka pasur aktivitet.
Duke u bazuar në neni 2.4 të Udhëzimit Administrativ 2012/02 (UA) për zbatimin e ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës; komisioni i kuvendit të komunës së Prizrenit për pronat është jo-ligjorë.
Duke ju referuar këtij UA; Kuvendi i Komunës themelon komisionin e posaçëm për secilin rast në përbërje të përfaqësuesve të ekzekutivit të komunës dhe përfaqësuesve të Kuvendit të Komunës të cilët vlerësojnë ofertat ekonomikisht më të favorshme, më së largu prej 30 ditës pas mbylljes së ankandit.
Po ashtu neni 4.1 i këtij udhëzimi administrativ thotë Prona e paluajtshme publike komunale jepet në shfrytëzim në procedurë të hapur, transparente dhe jo-diskriminuese përmes ankandit të hapur publik duke u bazuar në ofertën ekonomikisht më të favorshme për komunën dhe qytetarët e saj.
KDI i bënë apel MAPL-së përkatësisht divizionit për monitorimin; që dhënien e pronave komunale në kundërshtim me UA 2012/02 ti shpallë të pa vlefshme dhe të mos krijojnë asnjë efekti juridik me qëllim që të mbrohet interesi i komunës dhe qytetarëve e asesi interesi i grupacioneve të ndryshme që kanë për qëllim minimizimin e vlerës së pronës komunale tha Naim Cahani - përfaqësues i KDI-së.
Kuvendi i Komunës së Rahovecit në seancën e tetorit ka ndryshuar vendimin mbi kushtëzimin e qytetarëve për pagesën e mbeturinave në raport me dhënien e dokumenteve mirëpo një pjese e vendimit mbetet ne fuqi respektivisht kushtëzimin e regjistrimit të automjeteve.
Duke u bazuar ne shkresën e MAPL-se edhe ky kushtëzim është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe Kuvendit i Komunës së Rahovecit dhe komunat tjera po anashkalojnë organin mbikëqyrës në këtë rast MAPL-në. KDI i bënë apel Kuvendit të Komunës së Rahovecit edhe komunave tjera që kanë marrë një vendim të tillë ta shfuqizojnë në pajtim me shkresës së MAPL-së e cila thotë se një vendim i tillë është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Në bazë të ligjit për menaxhimin e financave dhe përgjegjësit; Kryetari i komunës duhet të përgatitë dhe ti dorëzojë kuvendit komunal raporte tremujore të cilat mbulojnë vitin fiskal deri në fund të tremujorit i cili sapo ka përfunduar.
Këto raporte duhet ti dorëzohen kuvendit komunal dhe një kopje duhet ti dorëzohet ministrit brenda tridhjetë (30) ditëve pas përfundimit të çdo tremujori dhe më pas duhet të publikohen nga kryetari i komunës në faqen e internetit të komunës.
Çdo raport i këtillë duhet të paraqesë informatat e përcaktuara në paragrafin 2 të këtij neni së bashku me një përmbledhje të statusit të të gjitha projekteve kapitale të shpenzimit.
Pos Komunës së Malishevës, asnjë nga komunat tjera të regjionit të Prizrenit nuk kanë raportuar pranë kuvendeve komunale për shpenzimet e nëntëmujorit të këtij viti fiskal. KDI rithekson nevojën që Kryetarët e Komunave të regjionit të Prizrenit të jenë më respektuese të legjislacionit në fuqi tha Arben Hoxha përfaqësues i KDI-së.
Ky aktivitet është ndërmarrë në kuadër të projektit Përfshirja e qytetarëve për transparencë dhe llogaridhënie të mbështetur nga Olof Palme Center (OPIC).
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është OJQ vendore e cila ka për mision të ofrojë mbështetje në zhvillimin e demokracisë përmes fuqizimit dhe ndikimit të sektorit joqeveritar në rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së institucioneve qeveritare.