Komisioni miratoi Strategjinë minerare për 2012-2025
Prishtinë, 15 dhjetor - Strategjia minerare e Republikës së Kosovës për periudhën 2012-2025, e diskutuar në disa mbledhje paraprake të Komisionit, së fundmi do të shqyrtohet edhe në mbledhjen plenare të Kuvendit të Kosovës.
Kështu u vendos në mbledhjen e sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, në të cilën ishte i pranishëm edhe ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj, dhe drejtori i KPMM-së, Ahmet Tmava.
Duke folur për strategjinë minerare, ministri Beqaj njoftoi anëtarët e Komisionit se ajo është e bazuar në Ligjin për miniera dhe minerale, ndërkaq, në harmoni me politikat qeveritare, qëllimi parësor i saj është zhvillimi ekonomik i vendit.
Në hartimin e kësaj strategjie, tha në vijim ministri, kanë marrë pjesë ekspertë të fushave përkatëse, menaxhmenti i kombinatit metalurgjik Trepça dhe përfaqësues të KPMM-së.
Duke kërkuar nga Komisioni që kjo strategji të procedohet në Kuvend për shqyrtim më të gjerë nga ana e deputetëve, ministri Beqaj po ashtu tha se Strategjia minerare e Republikës së Kosovës 2012-2025, ka paraparë që ajo të rishikohet në çdo tre vjet, varësisht nga rrethanat ekonomike që mund të krijohen.
Anëtarët e Komisionit, ndërkaq, nga ana e tyre u pajtuan që strategjia të përkrahet dhe të procedohet tutje për në mbledhje plenare, me çrast do të paraqesin vërejtjet dhe rekomandimet e tyre.